Kryeministri Zaev realizoi takim me Kryeministrin e Francës Filip: Maqedonia e Veriut dhe Franca kanë interes të përbashkët të punojnë për thellimin e marrëdhënieve të ndërsjella dhe për bashkëpunimin ekonomik

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev në margjinat e Samitit të Ballkanit Perëndimor në Poznan, realizoi takim me Kryetarin e Qeverisë së Republikës së Francës, Eduar Filip.

Kryeministri Zaev në takimin, në të cilin mori pjesë edhe zëvendëskryetari i Qeverisë së RMV-së, i ngarkuar për Çështje evropiane, Bujar Osmani dhe Nikolla Dimitrov, ministër i Punëve të Jashtme, theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut është tërësisht e përkushtuar në realizimin e agjendës së BE-së dhe se në këtë drejtim janë arritur të gjitha pritjet e domosdoshme nga vendi, të rekomanduara në mbledhjen e vitit të kaluar të Këshillit Evropian.

Në bazë të rekomandimeve të realizuara nga qershori i vitit të kaluar, për realizimin e reformave të caktuara në gjyqësi, lufta kundër krimit të organizuar, reforma në shërbimet e sigurisë dhe në administratën publike, erdhi edhe rekomandimi nga Komisioni Evropian për nisjen e pakushtëzuar të negociatave të BE-së me RMV-në, theksoi Kryeministri Zaev në takimin me Kryeministrin e Francës dhe theksoi se vendi i ka përmbushur të gjitha reformat dhe politikat e pritura, duke i përfshirë edhe ndryshimet kushtetuese për emrin e vendit dhe se për atë që është ofruar vendi pret edhe përmbushjen e premtimit të Komisionit Evropian për nisjen e negociatave në tetor.

“Vendimi i këtillë do të jetë porosi e qartë edhe për të tjerët në rajon, se vlen të investohet në reformat dhe në avancimin e marrëdhënieve të ndërsjella, si dhe në bashkëpunimin rajonal.  Mbështesim  diskutimin për reformat në BE, por, jemi të bindur se ky proces mund të vazhdojë paralelisht me procesin e negociatave dhe për zgjerimin e vendeve të rajonit”, theksoi Kryeministri Zaev.

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Francës, Eduar Filip, në takim theksoi interesin e përbashkët që ndajnë Franca dhe Maqedonia e Veriut për të punuar në thellimin e marrëdhënieve të ndërsjella dhe në bashkëpunimin ekonomik. Kryeministri francez shprehu mbështetjen për angazhimet për vazhdimin e reformave të caktuara për sundimin e së drejtës, shprehu urime për Marrëveshjen e Prespës dhe zbatimin e përfitimeve nga realiteti i ri fqinjësor që realizoi vendi me fqinjët e rajonit.