Kryeministri Spasovski dhe Kryetari i Parlamentit Evropian, Sasoli: Reformat e suksesshme dhe metodologjia e re janë hapa të rëndësishëm drejt fillimit të afërt të bisedimeve për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski u takua sot me Kryetarin e Parlamentit Evropian (PE) David Maria Sasoli.

Në takimin, në të cilin mori pjesë edhe Zëvendëskryetari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut i ngarkuar për Çështjet Evropiane, Bujar Osmani, Kryetari i PE-së Sasoli dha mbështetje të plotë për të gjitha hapat reformuese të cilat Qeveria, Kuvendi dhe qytetarët kanë ndërmarrë në periudhën e kaluar.

Në takim u theksua se Marrëveshja e Prespës dhe Marrëveshja me Bullgarinë janë shembull në rajon dhe shtyllë e së ardhmes evropiane të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Vendi mbetet i përkushtuar në zbatimin e marrëveshjeve që paraqesin shembull për zgjidhjen e kontesteve dypalëshe.

Kryetari Sasoli dhe Kryeministri Spasovski ranë dakord se reformat e suksesshme dhe metodologjia e re janë hapa të rëndësishëm drejt fillimit sa më të shpejtë të bisedimeve për anëtarësim. Ky qëllim është i përbashkët për të gjitha institucionet evropiane dhe shumicën e vendeve anëtare të BE, u tha në këtë takim.

Kryetari i PE-së Sasoli theksoi se Ballkani Perëndimor është një rajon strategjik për BE-në dhe se gjatë vizitës së tij në vendin tonë, ai është bindur se qytetarët besojnë fuqimisht në BE dhe në një të ardhme të përbashkët. Në këtë drejtim, Kryetari Sasoli tha se Parlamenti Evropian do të jep kontributin e tij në mbështetjen e Ballkanit Perëndimor në Samitin e Zagrebit.