Zëvendëskryeministri Bytyqi dhe ministri Nuredini në promovimin e një projekti të përbashkët të GIM dhe Makstil - Ekziston një potencial i madh për zhvillimin e ekonomisë rrethore, të flasim hapur për të gjitha mundësitë

Zëvendëskryeministri i Qeverisë, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor Naser Nuredini, sot, me ftesë të Instituti të Ndërtimtarisë Maqedonia (GIM) dhe kompanisë Makstil, morën pjesë në një ngjarje, ku u prezantua projekti i përbashkët i GIM dhe Makstil, i quajtur “Cinderela”, një projekt kompleks kërkimi dhe inovacioni, i financuar nga programi “Horizon 2020” i Komisionit Evropian, bazuar në mundësitë për reduktimin e mbetjeve industriale urbane, i cili synon të zhvillojë dhe demonstrimin e një modeli të ri biznesi të ekonomisë rrethore.

Në fjalimin e tij, drejtuar të pranishmëve, zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi se ekonomia rrethore është një nga mënyrat për të maksimizuar përdorimin e burimeve natyrore të disponueshme dhe të kufizuara dhe për të siguruar rritje dhe zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, duke zvogëluar emetimet e dioksidit të karbonit.

“Falënderoj përfaqësuesit e GIM-it dhe Makstil-it për punën e përbashkët, dhe shpreh kënaqësinë për faktin se institucionet dhe kompanitë tona shkencore janë të përfshira në projekte të tilla, e që për kushtet tona, projekte revolucionare, të cilat në njëfarë mënyre janë fillimi i ekonomisë rrethore, e cila ka potencial të madh në Republikën e Maqedonisë së Veriut. Sot jam vërtet i lumtur që më në fund, sektori privat ka filluar të flasë aktivisht për ekonominë rrethore dhe në praktikë rezulton se është e mundur. Megjithatë, më vjen keq që si vend në këto procese jemi dhjetë vjet me vonesë,” tha zëvendëskryeministri.

Bytyqi shtoi se nëse duam zhvillim intensiv dhe të qëndrueshëm ekonomik të vendit, për të cilin të gjithë faktorët janë të angazhuar dhe të përkushtuar pa dyshim drejt atij qëllimi, ne duhet të investojmë dhe të krijojmë bashkëpunim, duke ndjekur shembullin e bashkëpunimit midis GIM-it dhe Makstil-it dhe të inkurajojmë ekonominë rrethore.

“Praktikisht, përmes ekonomisë rrethore, ajo që shihet si mbeturinë, si e padobishme, mund të bëhet një burim dytësor dhe të fitojë një vlerë të re, të shtuar të përdorimit. Kjo do të kontribuojë për një mjedis më të shëndetshëm dhe më të pastër, ulje të emetimeve të gazrave serrë, duke ulur kostot e biznesit dhe përdorimin e zgjuar të burimeve natyrore në dispozicion. Sot kemi një shembull të suksesshëm, por në vendin tonë kemi një numër shembujsh të tjerë që nuk përdoren. Ne duhet të flasim hapur për segmentin e ekonomisë rrethore dhe të gjithë sektorët e tjerë. Në energjetikë ku kemi KXE (Kombinatit xeheror-energjetik) Manastir dhe KXE Osllomej, për minierat, në bujqësi, me fokus të veçantë blegtorinë. Një shifër tregon se sektori blegtoral në të gjithë botën prodhon rreth 14.5% të totalit të gazeve serë, metan, dioksid karboni, nitro-okside etj.. Ka vërtet potencial të madh atje. Në mbeturinat dhe hirin që janë në KXE Manastir dhe KXE Osllomej, me të vërtetë ekziston një mundësi e madhe për ekonomi rrethore dhe praktikë për ekonominë rrethore, e cila mund të përdoret në ndërtim. Prandaj, mendoj se sot është koha për të folur hapur për gjithçka që ofrohet si mundësi”, tha zëvendëskryeministri Bytyqi, duke shtuar se zhvillimi i ekonomisë rrethore do të jetë pjesë përbërëse e Strategjisë Kombëtare të Zhvillimit, e cila do të duhet të përcaktojë rrugën e zhvillimit të Maqedonisë së Veriut në 20 vitet e ardhshme.

Ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, theksoi se e përshëndet këtë projekt i cili po zbatohet pikërisht në momentin kur MMPH dhe Qeveria po i hapin rrugën krijimit të një ekonomie rrethore në vend.

“Ky projekt është një aplikim konkret i asaj që ne e planifikojmë në reformën e sektorit të mbeturinave: përzgjedhja, ripërdorimi, riciklimi dhe përpunimi. Një nga hallkat kryesore në këtë zinxhir që ne kemi siguruar si ministri, është statusi i lëndës së parë sekondare. Është mirë kur ndiqen politikat dhe praktikat dhe kur politikat e zhvillimit gjejnë konfirmimin e tyre në realitet. Ky model biznesi i ekonomisë rrethore për zhvillim dhe ndërtim të qëndrueshëm urban “Cinderela” tregon se është e mundur. Përdorimi i lëndës së parë industriale si një material ndërtimi është një projekt i shkëlqyer për të zvogëluar sasinë e mbeturinave të deponuara dhe për të mbrojtur burimet parësore dhe në të njëjtën kohë të sigurohet një zgjidhje më e lirë dhe më e shpejtë për rindërtimin e rrugëve. Pra, ne kemi një zgjidhje të brendshme për skorjen, e cila është një nënprodukt i shkrirjes së hekurishteve dhe e përdorim atë si zëvendësues deri në 20% të çimentos, asfaltimit dhe ngjeshjes së rrugëve, parkingjeve, etj.”, nënvizoi ministri Nuredini.

Projekti “Cinderela” u prezantua nga drejtori i përgjithshëm i GIM, Vlatko Ivanov, kryetari i bordit të drejtorëve të Makstil Dimitar Cvetkovski dhe menaxheri i projektit në GIM, Zlatko Iliovski, dhe është realizuar nga një konsorcium prej trembëdhjetë institucionesh kërkimore të shkëlqyeshme dhe organizata nga shtatë vende evropiane: Sllovenia, Italia, Serbia, Spanja, Polonia, Holanda dhe Maqedonia e Veriut, të strukturuara në 6 aktivitete demonstruese lokale dhe disa struktura organizative, përfshirë Institutin e Ndërtimtarisë Maqedoni, i cili për nevojat e projektit ka përfunduar një Marrëveshje për biznes dhe bashkëpunim teknik me Makstil SHA Shkup.

Si pjesë e zonave pilot-demonstruese të projektit “Cinderela”, fabrikat e përpunimit janë krijuar në Maribor (Slloveni), Madrid (Spanjë) dhe Shkup (Maqedoni e Veriut). Me instalimin e këtyre impianteve, qëllimi është të demonstrohen mundësitë teknike, teknologjike dhe administrative për përpunimin dhe përdorimin e materialeve të ndryshme jo të dëmshme, si dhe disa lloje të tjera të lëndëve të para dytësore për prodhimin e produkteve të qëndrueshme të ndërtimit.

Ndikimi i pritshëm i projektit “Cinderela” është të zvogëlojë ndikimin negativ të industrisë dhe ndërtimit në mjedis. Në këtë mënyrë do të ndihmojë kompanitë e ndërtimit të rrisin konkurrentshmërinë e tyre duke ofruar shërbime të qëndrueshme. Ndikimi pozitiv në mjedis do të bëhet realitet përmes ofrimit të zgjidhjeve të provuara për përdorimin e reduktuar të lëndëve të para primare.