Nga mbledhja e 44-të e Qeverisë: Nuk ka vazhdim të vitit shkollor; Është hequr vendimi për kufizimin e eksportit të vajit të lulediellit; U sigurua granti për rindërtimin dhe pajisjen e 50 sallave sportive të shkollave

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme të rregullt të 44-të miratoi Vendimin për përcaktimin e numrit të ditëve mësimore në vitin shkollor 2021/2022 në shkollat ​​e mesme.

Me këtë vendim përcaktohet se numri i ditëve mësimore në vitin shkollor vijues në  shkollat ​​e mesme është 146 ditë mësimore, gjegjësisht nuk ka vazhdim të vitit shkollor.

Qeveria në mbledhjen e sotme  solli vendim për ndërprerjen e vlefshmërisë së vendimit për kufizimin e eksportit të vajit të lulediellit.

Vendimi është marrë në bazë të situatës së konstatuar që prodhimi vijues vendor i vajit të lulediellit e furnizon rregullisht tregun vendas për nevojat e konsumit masiv, gjegjësisht për shërbimin e qytetarëve, se sasitë ekzistuese pozitivisht ndikojnë në gjendjen e qëndrueshme me këtë produkt ushqimor bazë dhe se nuk ka nevojë që të krijohen teprica, domethënë  rezerva të vajit të lulediellit për ushqim.

Në këtë mbledhje Qeveria i ngarkoi Ministrinë e Shëndetësisë dhe Ministrinë e Financave të sigurojnë mjete të nevojshme për sigurimin e terapisë antiretrovirale si pjesë përbërëse e Programit për mbrojtjen e popullatës nga infeksioni HIV në Republikën e Maqedonisë së Veriut për vitin 2022.

Ministrat në Qeveri e shqyrtuan dhe e miratuan Informacionin për nevojën e lidhjes së Marrëveshjes për grant për projektin “Rehabilitimi i objekteve të edukatës fizike në shkollat fillore dhe të mesme dhe furnizimi i pajisjeve sportive në Maqedoninë e Veriut”, ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut,  përfaqësuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe Banka për Zhvillim pranë Këshillit të Evropës – CEB.

Granti vjen nga Korniza e investimeve për Ballkanin Perëndimor (WBIF), në lartësi prej tre milionë eurosh dhe është dedikuar për rindërtimin e 30 sallave ekzistuese sportive të shkollave në shkollat fillore dhe të mesme dhe për pajisjen me pajisje sportive të 50 sallave ekzistuese sportive të shkollave në shkollat fillore.