NUREDINI: Ne ndihmojmë në pastrimin e deponive të egra, por komunat duhet të sigurojnë shërbime edhe në lagjet më të izoluara

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini së bashku me drejtorin e Drejtorisë së Mjedisit Jetësor në MMJPH Hisen Xhemaili dhe drejtorin e IPPK “Mali Sharr” Ibrahim Dehari, sot vizituan aktivitetet për pastrimin e deponive të egra dhe transportimin e mbeturinave në disa nga lokacionet e parapara që ndodhen në territorin e parkut kombëtar Mali Sharr.

Aktivitetet përfshijnë pastrimin e 16 deponive të egra në komunën e Tetovës dhe 12 deponive të egra në komunën e Bogovinës, Vrapçisht dhe Gostivar dhe transportimin e mbeturinave në deponinë “Rusino”. Mjetet e nevojshme për realizimin e këtyre aktiviteteve sigurohen nga MMJPH.

Me këtë rast, ministri Nuredini vuri në dukje obligimin e komunave, në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Mbeturinave, që në vazhdimësi të zbatojnë parimin e universalitetit të shërbimeve dhe të sigurojnë grumbullimin dhe transportin e mbeturinave komunale dhe mbulimin e plotë të zonës ku kryejnë shërbimin publik për menaxhimin e mbeturinave, duke i përfshirë edhe vendbanimet e izoluara.

Sipas Nuredinit, kjo është mënyra e vetme për të parandaluar rishfaqjen e “deponive të egra” në këto komuna, në mënyrë që mjetet e investuara në aktivitet të arrijnë qëllimin – mjedis jetësor i pastër dhe i shëndetshëm dhe kushte më të mira jetese për popullatën.