Takimi Kovaçevski - Mejer: Avancimi i bashkëpunimit me SHBA-në në sigurinë kibernetike

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, u takua me ushtruesin e detyrës së ambasadorit të SHBA-së në vend, Erik Mejer.

Në takim u bisedua për mundësitë për përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së në fushën e sigurisë kibernetike.

Bashkërisht u konstatua se Republika e Maqedonisë së Veriut tashmë kontribuon në veprimin e koordinuar ndërmjet anëtarëve të NATO-s, me qëllim të forcimit të rezistencës ndaj kërcënimeve kibernetike në rritje, në fushën e sigurisë.

Në atë drejtim, theksohet rëndësia e shkëmbimit të praktikave të suksesshme për parandalimin e incidenteve kibernetike dhe shkëmbimi i informacionit lidhur me kërcënimet kibernetike, gjë që kontribuon edhe në rritjen e mbrojtjes të vendit tonë në drejtim të kësaj sfide në kuadrin global.

Kryeministri Kovaçevski theksoi se SHBA-të janë mike e madhe dhe partner strategjik i Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe rajonit, në të gjitha proceset demokratike dhe në fushën e mbrojtjes dhe se çdo përvojë në këtë fushë është e një rëndësie të madhe.

Kryeministri Kovaçevski në takim falënderoi për pritjen miqësore gjatë qëndrimit të tij të punës në Nju Jork, gjatë pjesëmarrjes në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, duke e vlerësuar atë si jashtëzakonisht të suksesshme, duke i vlerësuar takimet e rëndësishme  me presidentin amerikan Biden dhe me përfaqësues amerikanë, ku u diskutuan çështje aktuale politike me rëndësi për vendin tonë.