Zëvendëskryeministri Bytyqi prezantoi mundësitë e investimit të vendit para një grupi biznesmenësh nga Turqia

Zëvendëskryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, përgjegjës për çështje ekonomike, koordinim me resorët ekonomikë dhe investimet, Fatmir Bytyqi, sot ka zhvilluar një takim me një grup prej dhjetë biznesmenësh dhe investitorësh nga asociacioni i biznesit Rumelisijad nga Bursa, Republika e Turqisë.

Në takimin e organizuar nga Oda Ekonomike Maqedono-Turke (MATTO), përfaqësues nga kabineti i Bytyqit, së bashku me përfaqësues të Agjencisë për investime të huaja dhe promovim të eksportit, mbajtën një prezantim ekonomik para investitorëve turq në të cilin prezantuan mundësitë për investim në vend, por edhe iu përgjigjën edhe pyetjeve dhe dilemave që kishin investitorët për sektorë dhe potenciale të veçanta.

Në fjalimin e tij para delegacionit të investitorëve turq, zëvendëskryeministri Bytyqi theksoi se Republika e Maqedonisë së Veriut ofron një paketë jashtëzakonisht atraktive për mbështetjen e investimeve dhe se për disa aktivitete si sektori i përpunimit, TIK dhe prodhimi i ushqimit - kompanitë mund të marrin mbështetje deri më 50% të totalit të investimeve në mjete fikse.

Bytyqi theksoi marrëdhëniet tradicionalisht të mira ekonomike dhe politike midis Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Turqisë, duke vënë në dukje se dhjetëra kompani turke ekzistojnë dhe veprojnë me sukses në vend dhe se ato janë garantuesi i vërtetë që duhet të jep siguri në vendimin e tyre për të zgjedhur Maqedoninë e Veriut për ciklin e tyre të ardhshëm të investimeve.

Gjatë vizitës në vend, investitorët turq do të kenë edhe një vizitë të organizuar në Zonën Zhvillimore Teknologjike Industriale, ku do të mësojnë për kushtet dhe përfitimet që kanë nëse do të realizojnë investimin e tyre në një nga zonat ZZHTI.