Osmani - Lipavski: Integrimi i përshpejtuar evropian i vendit do ta forcojë sigurinë rajonale dhe evropiane

Ministri i Punëve të Jashtme i Republikës Çeke, Jan Lipavski, po qëndron për vizitë zyrtare në vend, me ftesë të Ministrit të Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Në fokus të bisedimeve ishte procesi euro-integrues i Maqedonisë së Veriut, i cili fitoi dinamikë të re me fillimin e negociatave për anëtarësim gjatë presidencës çeke me Këshillin e BE-së. Në këtë kontekst, Ministri Osmani falënderoi për aktivitetet dhe rolin e Republikës Çeke nga pozita e Kryesuesit të BE-së.

"Nuk guxojmë të lejojmë që të hymë në agjendën e provokatorëve dhe të heqim dorë nga përpjekjet tona për t'i kthyer marrëdhëniet e ndërsjella në vendin e duhur - shtëpitë e diplomacisë.

Për këtë qëllim, çdo ndihmë është e mirëseardhur, veçanërisht nga miqtë tanë si Republika Çeke. Sot i kërkova kolegut tim, Lipavski që ta përdorë ndikimin e tij brenda Unionit, duke vazhduar ta demonstrojë mbështetjen çeke për vendin”, tha Osmani.

Lipavski theksoi se përshpejtimi i integrimeve evropiane është në dobi të përbashkët të Maqedonisë së Veriut dhe BE-së, duke rikonfirmuar qëndrimin çek se Ballkani Perëndimor është pjesë e rëndësishme dhe e pandashme e familjes evropiane.

Në cilësinë e Kryesuesit të OSBE-së, Osmani shkëmbeu mendime me homologun e tij çek për prishjen e rëndë të arkitekturës së sigurisë evropiane të shkaktuar nga agresioni ushtarak kundër Ukrainës dhe pasojat e mëdha që ndjen Ukraina, por edhe Evropa dhe bota.

“Prezantova prioritetin tonë më të lartë si Kryesues: të ndalojmë vuajtjet e mëtejshme të njerëzve, të vëmë Organizatën në veprim përmes misioneve në terren për të zbutur pasojat e luftës, por edhe të parandalojmë krizat e reja dhe të ofrojmë mbështetje për rajonet e ndjeshme, duke ndjekur sloganin tonë, Fjala është për njerëzit”, nënvizoi Osmani.

Në takim u bisedua edhe për trendin dinamik pozitiv të marrëdhënieve dypalëshe, me theks të veçantë në bashkëpunimin e shkëlqyer ekonomik. Osmani nënvizoi rëndësinë e madhe të mbështetjes çeke në mbrojtjen e kufirit tonë jugor nga migrimi i paligjshëm, që është një tjetër konfirmim i marrëdhënieve tradicionalisht të shkëlqyera mes dy vendeve.