Kryeministri Zaev në diskutim joformal me të rinjtë socialist evropian: Dialogu me të rinjtë lejon krijimin e politikave me vlera evropiane për ta

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, Zoran Zaev sot u takua me përfaqësuesit e rinisë socialiste evropiane (Youth European Socialists - YES) për të folur rreth politikave rinore, qëllimeve dhe masave për përmirësimin e standardit të jetës së të rinjve. Së bashku me nikoqirët nga rinia social-demokrate e Maqedonisë, në takimin me kryeministrin Zaev morrën pjesë edhe anëtarët e Presidiumit të YES të cilët vijnë nga vende të ndryshme evropiane.

Në takimin joformal dhe diskutimin me socialistët dhe social-demokratët e rinj, kryeministri Zaev rikujtoi se një nga detyrat kryesore të Qeverisë është që të kthejë profesionistët e rinj në vend, që të kontribuojnë drejt pranimit në Bashkimin Evropian dhe ta transformojë Maqedoninë në një vend modern dhe me prosperitet.

„Mbetemi të përkushtuar ndaj energjisë së të rinjve dhe i mbështesim ata në çdo mënyrë. Ambicja e tyre për të ndarë vlerat e reja mund të jetë një kontribut për Evropën, që është qëllimi jonë, si një nga faktorët më me ndikim në nivel global“, tha kryeministri Zaev.

Duke shpjeguar nevojën për ndjekjen e politikave rinore evropiane dhe hapjen e mundësive për të rinjtë në Maqedoni, kryeministri Zaev veçoi Garancën rinore si një nga masat aktive për punësimin e të rinjve, implementimi i të cilës e bën Maqedoninë vendin e vetëm nga rajoni që nuk është anëtare e Bashkimit Evropian që e zbaton këtë masë rinore.

Në fushën e arsimit, kryeministri Zaev vuri në dukje masat e ndërmarra për të krijuar një arsim cilësor, i cili u jep atyre njohuri dhe aftësi praktike, me të cilat të rinjtë do të kontribuojnë në zhvillimin profesional dhe zhvillimin e përgjithshëm të shoqërisë.

„Ne po krijojmë një model të ri të edukimit dhe organizimit të gjimnazistëve dhe studentëve, duke rikthyer fuqinë e studentëve dhe forcimin e autonomisë së universiteteve“, tha kryeministri Zaev në takimin me socialistët dhe socialdemokratët e rinj.

I pyetur për situatën politike rajonale dhe rolin e Maqedonisë në politikën rajonale, kryeministri Zaev tha se Marrëveshja e Prespës solli një realitet të ri në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

„Ne nuk mund ta injorojmë faktin se po jetojmë në një botë në të cilën jemi të drejtuar kah njëri-tjetri. Realiteti është se ne duhet të ndërtojmë bashkërisht themelet e miqësisë reciproke dhe përpjekjet e përbashkëta për sundimin e demokracisë, paqes dhe prosperitetit në vendet tona dhe në rajon. Rajoni ynë është pjesë e vlerave të përbashkëta të Evropës“, tha kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë dhe theksoi se politikat për një shoqëri për të gjithë, që i zbaton Qeveria maqedonase po krijojnë siguri, drejtësi, progres dhe respekt maksimal për të drejtat dhe dinjitetin e të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë.