U nënshkrua Memorandumi për bashkëpunim me Zyrën për shërbime të projekteve të Kombeve të Bashkuara - UNOPS dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë, për zgjidhjen përfundimtare të problemit me mbeturinat e lindanit në fabrikën Ohis

Kryeministri Zoran Zaev në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë, sot e nënshkroi Memorandumin për bashkëpunim me Zyrën për shërbime të projekteve të Kombeve të bashkuara - UNOPS dhe Ministrinë e Punëve të Jashtme të Mbretërisë së Norvegjisë, përfaqësuar nga Ambasada e Mbretërisë së Norvegjisë për Serbinë, Maqedonisë dhe Malin e Zi. 

Zbatimi i suksesshëm i Projektit ka për qëllim krijimin e fondit të përbashkët, si mekanizëm sistematik për pastrimin e mbeturinave toksike industriale në ish fabrikën OHIS, në përputhje me standardet evropiane, harmonizimin në fushën e mbrojtjes së mjedisit jetësor dhe promovimin e Qytetit të Shkupit si të sigurt, të rezistueshëm dhe të qëndrueshëm. 

 

 

“Është e njohur se një sasi e caktuar e këtij pesticidi të rrezikshëm me vite është grumbulluar në hapësirën fabrikës dhe paraqet kërcënim për mjedisin jetësor. Republika e Maqedonisë, me nënshkrimin e Konventës së Stokholmit në vitin 2004, në të cilën lindani si materie toksike është shtuar në vitin 2009, është e detyruar ta zgjidh këtë problem. Dhe për këtë arsye, sa më shpejtë që të jetë e mundur, duhet të zhvendosen mbeturinat pa pasoja në mjedis dhe për qytetarët”, theksoi Kryeministri Zaev. 

Duke theksuar se mjedisi i shëndetshëm dhe i pastër jetësor janë një nga parakushtet themelore për jetë cilësore për të gjithë, Kryeministri Zaev, theksoi se Qeveria dhe të gjitha institucionet e tjera kompetente janë të vendosur të krijojnë mjedis në të cilin qytetarët do të jetojnë pa u shqetësuar për ajrin që e frymojnë ose çfarë fshihet nën tokën që shkelin.  

Procesi për zgjidhjen përfundimtare të problemit të mijëra tonëve mbeturina të pesticideve të rrezikshme të lindanit në ish fabrikën Ohis, do ta udhëheqë Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë.

 

 

Sipas, Sekretarit të Përgjithshëm Rashkovski, tri zgjidhje janë të mundshme  për zgjidhjen e përhershme problemit të lindanit në ish fabrikën e Ohis, për realizimin e të cilit do të jenë të nevojshëm prej 40 deri më 260 milionë euro. 

“Në varësi nga mjetet e mbledhura do të varet zgjedhja e metodës që do të përdorim për asgjësimin e mbeturinave të pesticideve të rrezikshme të lindanit. Dua të theksoj se njëkohësisht do të pastrohen dy deponitë në ish fabrikën Ohis dhe presim që ky proces të zgjasë prej 3 deri më 5 vjet”, theksoi Sekretari i Përgjithshëm i Qeverisë së, Republikës së Maqedonisë, Dragi Rashkovski. 

Ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë për Maqedoninë, Serbinë dhe Malin e Zi, Arne-Sanes Bjornstad, theksoi se vendi i tij është i kënaqur që mund t’i ndihmojë Republikës së Maqedonisë për të zhvendosur pikën më të errët ekologjike në vend. Duke theksuar se siguria e qytetarëve është në vend të parë, ambasadori Bjornstad, tha se ky proces në mënyrë plotësuese do ta lehtësojë rrugën e Republikës së Maqedonisë në Bashkimin Evropian. 

Në nënshkrimin e sotëm  të Memorandumit për bashkëpunim ndërmjet Qeverisës së Republikës së Maqedonisë dhe Norvegjisë, si dhe Zyrën për shërbime të projekteve të Kombeve të Bashkuara - UNOPS, morën pjesë edhe ambasadorë të disa vendeve evropiane, pastaj Nikolla Bertolini, udhëheqës i Sektorit për bashkëpunim të Delegacionit të Bashkimit Evropian, si dhe përfaqësues të organizatave të Kombeve të Bashkuara të pranishëm në vend.