Qeveria e Republikës së Maqedonisë: Pohimet e VMRO-DPMNE-së opozitare nuk janë të sakta - Ligji për përdorimin e gjuhëve nuk parasheh punësime shtesë në komunat në të cilat qytetarët e komuniteteve pakicë janë më pak se 20%

Qeveria e Republikës së Maqedonisë në mënyrë kategorike hedh poshtë pohimet e VMRO-DPMNE-së opozitare si të pasakta.

Ligji për përdorimin e gjuhëve parasheh themelim të Agjencisë Qendrore, e cila do t’u shërbejë komunave dhe institucioneve të tjera, në ato vendbanime ku shumica e qytetarëve janë maqedonas. Në ato qytete, në rast se ndonjë qytetar i komunitetit shqiptar, rom, boshnjak, serb ose i ndonjë komuniteti tjetër etnik ka nevojë për komunikim dhe do të drejtohet në gjuhë tjetër, krahas gjuhës maqedonase, atëherë Agjencia Qendrore do t’u ndihmojë qytetarëve dhe do ta përkthejë komunikimin për nevojat e qytetarëve të cilët drejtohen.

Kjo do të thotë se në institucionet, në komunat ku 20% e qytetarëve nuk janë pjesëtarë të komuniteteve etnike jo-shumicë, nuk do të ketë punësim shtesë të qytetarëve shqiptarë ose të ndonjë komuniteti tjetër etnik për të përmbushur dispozitat e Ligjit për përdorimin e gjuhëve.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë mbetet e vendosur në qëndrimin se Ligji për përdorimin e gjuhëve është në interes të të gjithë qytetarëve dhe është në kuadër të konceptit një shoqërie të barabartë për të gjithë. Me implementimin e tij do të forcohet stabiliteti i përgjithshëm shoqëror në Republikën e Maqedonisë dhe do të kontribuojë në forcimin e integritetit dhe progresin ekonomik të vendit.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë krijon politika që e ndërtojnë Republikën e Maqedonisë si shtet të qytetarëve për të gjithë ata të cilët jetojnë në të: maqedonas, shqiptarë, turq, serb, vllah, rom, boshnjakë dhe të gjithë komunitetet e tjera.