Bisedë telefonike mes Kryeministrit Zaev dhe Kancelares Merkel: Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës është lajm i mirë për Evropën

Të mërkurën më 3 prill, Kryeministri Zaev zhvilloi bisedë telefonike me Kancelaren Merkel.

Gjatë bisedës u konfirmua që vizita e Kryeministrit grek Cipras që u realizua të martën në Republikën e Maqedonisë së Veriut, më 2 prill të vitit 2019, si dhe mbledhja e përbashkët e Qeverisë ishin momente historike. Zhvillimi pozitiv i marrëdhënieve midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë është shembull pozitiv për rajonin e Ballkanit Perëndimor dhe këto janë lajme të mira për Evropën.

Zbatimi i Marrëveshjes së Prespës konfirmon se dialogu dhe diplomacia krijojnë rezultate pozitive për tejkalimin e çështjeve të hapura, të cilët mund të sjellin përfitime të drejtpërdrejta ekonomike për qytetarët. Siç informoi Kryeministri Zaev, Qeveria e Maqedonisë së Veriut dhe e Greqisë nënshkruan disa marrëveshje për përforcimin dhe zhvillimin e bashkëpunimit. Përveç kësaj në Shkup u mbajt Forumi i biznesit ku morën pjesë më shumë se 140 kompani nga Greqia dhe 250 kompani nga Maqedonia e Veriut.

Kryeministri Zaev gjithashtu e informoi Kancelaren Merkel edhe për zhvillimet tjera politike në shtet, siç është mbajtja e dialogut të hapur me opozitën në lidhje me reformat ku dhe janë arritur rezultate konkrete me miratimin e një ligji të ri kundër diskriminimit, themelimin e Komisionit kundër korrupsionit, si dhe reformat në shërbimet e sigurisë dhe administratën publike. Dialogu për të ardhmen e Prokurorisë Speciale Publike është në rrjedhë.

Kryeministri Zaev e falënderoi Kancelaren Merkel për mbështetjen që Gjermania e dha në të gjitha proceset, duke përfshirë edhe tejkalimin e kontestit për emrin me Greqinë fqinje, reformat e brendshme, veçanërisht me këshilltarin ekonomik që Gjermania e siguroi, me qëllim që t’i ndihmojë Qeverisë së Maqedonisë së Veriut. Gjermania është partneri më i madh tregtar i Maqedonisë së Veriut dhe interesimi i investitorëve gjermanë është gjithnjë më i madh. Përveç kësaj, në vend zbatohet modeli për arsimim të dyfishtë me ndihmën e partnerëve gjermanë.

Duke pasur parasysh ngjarjet e lartpërmendura, Kryeministri Zaev kërkoi mbështetje në lidhje me vendimin për fillimin e negociatave me Maqedoninë e Veriut të cilin duhet ta miratojë Këshilli i BE-së në qershor. Ai potencoi se duke pasur parasysh se shteti ka status të vendit kandidat për anëtarësim në BE nga viti 2005, e përfshiu Marrëveshjen e Prespës dhe arriti rezultate sa i përket procesit të reformave. Është koha që Këshilli i BE-së të sjell vendim pozitiv për hapjen e negociatave për aderim. Ky vendim do të paraqet inkurajim shtesë për të vazhduar me reformat në Maqedoninë e Veriut.

Kancelarja Merkel e përshëndeti zhvillimin pozitiv të zbatimit të Marrëveshjes të Prespës, si dhe zbatimin e reformave të vendit përmes dialogut të hapur me opozitën, gjë që sipas saj do të sjell rezultate pozitive dhe konkrete.