Kryeministri Zaev pranon në takim delegacionin e Republikës së Bullgarisë të udhëhequr nga ministrja për Zhvillim Rajonal dhe Urbanizëm, Avramova: Investojmë në zhvillimin e infrastrukturës së komunikacionit,

Kryeministri Zoran Zaev, së bashku me ministrin për Vetëqeverisje Lokale, Goran Milevski dhe delegacionin qeveritar sot ishin nikoqir të delegacionit të Republikës së Bullgarisë të udhëhequr nga ministrja për Zhvillim Rajonal dhe Urbanizëm, Petja Avramova.

Në takimin e mbajtur në Qeveri, Kryeministri Zaev theksoi se dy vjet pas nënshkrimit të Marrëveshjes për miqësi, fqinjësi të mirë dhe bashkëpunim mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë është arritur përparim i dukshëm në bashkëpunimin mes dy shteteve në shumë sektorë dhe është përforcuar dialogu politik.

“Qeveria e RMV-së, është e përkushtuar për intensifikimin e rrjetit rrugor bashkëkohor dhe cilësor, investojmë në sistemin e ujësjellësit si projekte të rëndësishme për mbrojtjen e mjedisit jetësor dhe sigurimin e jetesës më cilësore për qytetarët. Investimet janë nxitje për zhvillim ekonomik dhe bashkëpunim me fqinjët për investime serioze në fushën e bujqësisë, industrisë së minierave dhe sektorëve të tjerë”, tha Kryeministri Zaev. Njëkohësisht, ai u falënderua për mbështetjen e madhe që Republika e Bullgarisë ia jep RMV-së në rrugën e anëtarësimit në NATO dhe BE.

Në takim, u potencua përkushtimi i të dyja palëve për realizimin e projekteve të cilat kanë rëndësi të posaçme për lidhjen e ndërsjellë, duke u fokusuar në Korridorin 8, si dhe përmirësimin e bashkëpunimit ndërkufitar mes të dyja vendeve me mbështetje të fondeve nga Bashkimi Evropian.

 

U theksua se të dyja palët, RMV-ja dhe Bullgaria e intensifikojnë implementimin e Marrëveshjes për miqësi dhe bashkëpunim dhe theksuan se për këtë dëshmojnë më shumë memorandume për bashkëpunim të cilat janë nënshkruar deri më tani.

Në kuadër të vizitës së sotme të delegacionit bullgar, në Qeverinë e RMV-së, u nënshkrua Memorandum për bashkëpunim mes Ministrisë për Vetëqeverisje Lokale të Maqedonisë së Veriut dhe Ministrisë për Zhvillim Rajonal dhe Urbanizëm të Bullgarisë që ka të bëjë me përmirësimin e politikës për bashkëpunim ndërkufitar dhe vetëqeverisje lokale, si dhe me përforcimin e kapaciteteve institucionale të Ministrisë së Vetëqeverisjes Lokale për implementimin  e politikave evropiane dhe projekteve.