Gjashtë milionë denarë për inovacione për nxënësit më të mirë të shkollave fillore dhe të mesme

Në Qeverinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut sot  u bë nënshkrimi i kontratave për 34 projekte për shkollat fillore dhe të mesme, të cilat u shpërblyen në kuadër të Programit “Sfidë për hulumtuesit e rinj 2”, të Fondit për Inovacione  dhe Zhvillim Teknologjik dhe Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës.

 

Në ceremoninë u prezantuan dy projektet fituese të nxënësve nga shkolla fillore fituese e çmimit të  parë  “Dame Gruev” nga Manastiri dhe shkolla e mesme fituese e çmimit të parë  “Vanço Prke” nga Vinica.

 

Në ngjarjen solemne mbajti fjalim Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.  Ai theksoi se Qeveria është e përkushtuar të mbështesë hulumtuesit e rinj, me qëllim që të realizohen idetë dhe zgjidhjet e tyre kreative për problemet dhe çështjet e përditshme me të cilat përballemi të gjithë.

 

“Duke ndërtuar veten si liderë dhe duke i realizuar ëndrrat e tyre këtu, në vend, të rinjtë ndërtojnë të ardhmen ekonomike të vendit tonë, Maqedoninë e Veriut. Ne na duhen hulumtues të rinj dhe ju falënderohem profesorë dhe mentorë të respektuar që keni njohur dhe zhvilluar potencialin e tyre kreativ”, shtoi Zaev.

Me një fond të përgjithshëm prej 6 milionë denarë dhe 30.000 denarë shtesë për mentorët e nxënësve të cilët janë pjesë e këtij projekti këtë vit, stimulohet kreativiteti dhe hapet dimension i ri për nxënësit e shkollave fillore dhe të mesme.

 

Drejtori i Fondit për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik, Jovan Despotovski në ceremoninë tha se Fondi për Inovacione dhe Zhvillim Teknologjik tanimë dy vite  po realizon Sfidën për hulumtuesit e rinj. “Me mbi 10 milionë denarë mbështesim projekte në 54 shkolla fillore dhe të mesme në tërë vendin, në të cilat mbi 300 nxënës dhe 130 mentorë punojnë në projekte hulumtuese në të gjitha fushat. Secili që i sheh këta të rinj me të drejtë mund të thotë, se për të qenë  shtet serioz ashtu siç duam të jemi  dhe të përpiqemi të bëhemi, duhet të sigurojë mbështetje për ta”, tha Despotovski.