Nga mbledhja e 163-të e Qeverisë: U hap debati për Buxhetin 2020, do të përcaktohen në mbledhjen e ardhshme ; U miratua blerja e hapësirave në selinë e NATO-s ; do të ndërtohet poliklinikë në Komunën Saraj

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e sotme te rregullt të 163-të hapi debatin për Propozim-buxhetin për vitin 2020. Ministrat në Qeveri i prezantuan programet të cilat duhet të financohen nga Buxheti në vitin e ardhshëm dhe sollën vendim që Propozim-buxheti për vitin 2020, si dhe Propozim-ligji për realizimin e buxhetit të RMV-së për vitin 2020 të përcaktohen në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë, e cila duhet të mbahet javën e ardhme.

Në mbledhjen e sotshme, Qeveria e RMV-së shqyrtoi dhe miratoi Informacionin për blerjen dhe adaptimin e hapësirave afariste në selinë e NATO-s, në Bruksel për nevojat e Misionit të Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, me Propozim-vendim për blerje me marrëveshje të drejtpërdrejtë të sendeve patundshme.

Shuma e mjeteve financiare për këtë qëllim, për blerjen e 996,37 m2 (878,10m2 neto) të hapësirave administrative, për parkingun dhe për realizimin e punëve ndërtimore për adaptim, është 2.872.255 euro.

Në këtë mbledhje, Qeveria shqyrtoi dhe miratoi Informacionin me Plan Veprimi të projektit, ndërtimi i një objekti të ri Poliklinika Saraj pranë ISHP Qendra Shëndetësore.

Në mbledhjen e sotme Qeveria miratoi tre vendime për shpërndarjen e mjeteve të siguruara në nën-programin Dotacione kapitale në Njësitë e vetëqeverisjes lokale të Ministrisë për Transport dhe Lidhje, që të realizohen projektet që vijuan si amendamente të deputetëve në Kuvend, anëtarë të Komisionit për financim dhe buxhet.

Me shpërndarjen e re do të fillojnë aktivitetet ndërtimore (gërmime) të tubacionit me presion, për sigurimin e rrjetit të ujësjellësit në fshatin Dërvosh, Komuna e Bosillovës, në vlerë prej 3.000.000, sanim i rrëshqitjes së dheut Podaresh-Smilacë në Komunën Radovish, në vlerë prej 5.000.000, sanim i rrëshqitjes së dheut në Komunën Kavadar, me vlerë prej 7.000.000,00 denarë.

Me propozim të Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, Qeveria e RMV-së solli vendim për shpërndarjen e mjeteve të siguruara në nën-programin, Komunikim dhe transport nga dotacionet kapitale në njësitë e vetëqeverisjes lokale për realizimin e projekteve, asfaltimi i rrugës Hristijan Todorovski Karposh – krahu i dytë në Komunën Çair, për rikonstruimin e rrugës në fshatin Mateç, Komuna e Likovës, për ndërtimin e rrugës me të cilën do të lidhet fshati Kopanicë në Komunën Saraj me rrugën rajonale Shkup-Tetovë, për përpilimin e dokumentacionit projektues për ndërtimin e bulevardit në aksin rrugor nga Momin Potok deri tek qarkorja në Vizbeg në Qytetin e Shkupit dhe për ndërtimin e rrethrrotullimit në fshatin Misleshevë – Strugë.

Investimi i përgjithshëm i këtyre zgjidhjeve infrastrukturore është 12,8 milionë denarë.