Nga mbledhja e 165-të e Qeverisë në Tetovë: U miratuan prioritetet e përbashkëta të ardhshme të komunave të rajonit të Pollogut me pushtetin qendror të cilat kryesisht kanë të bëjnë me projektet infrastrukturore

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dje mbajti mbledhjen e rregullt të 165-të në Tetovë, si e dyta nga 10 mbledhjet e caktuara që në periudhën e ardhshme një herë në muaj mbahen në dhjetë rajone të ndryshme të shtetit.

Kryetari i Qeverisë, Zoran Zaev hapi mbledhjen me pikën qendrore të rendit të ditës:Informacioni për gjendjet dhe vizitat e realizuara në komunat Tetovë, Gostivar, Jegunovcë,Vrapçishtë, Bogovinjë,Bërvenicë, Tearcë dhe Zhelinë.

 

Kryeministri Zaev iu falënderua Komunës së Tetovës dhe kryetares së Komunës, Teuta Arifi, e cila për këtë qëllim lëshoi sallën për mbledhjen dhe mundësoi logjistikën e mbajtjes së mbledhjes.

 

Në vazhdim të kumtesës përcjellim fjalimin e Kryetarit të Qeverisë Zaev në fillim të mbledhjes në tërësi:

 

“Falënderohem për praninë e kryetarëve të komunave të këtij rajoni, nga komunat Gostivar, Jegunovcë, Vrapçishte, Bogovinjë, Bërvenicë, Tearcë dhe Zhelinë.

 

Prania juaj këtu ka rëndësi të madhe për ti marrë informatat në interes të qytetarëve, të komuniteteve të tyre dhe në pajtim me këtë ti dimensionojmë politikat e ardhshme dhe vendimet për projekte të cilat mund të realizohen bashkë me pushtetin qendror.

 

Këtë qëllim mund ta realizojmë edhe në bazë të përvojave nga projekte të shumta që i realizoi pushteti qendror dhe të cilat kanë interes të veçantë për qytetarët dhe rajonin e Pollogut.

 

Investim i tillë është ndërtimi i gazsjellësit në aksin rrugor Shkup-Tetovë-Gostivar në gjatësi prej 76 km, në vlerë prej 29 milionë euro. Tërësisht do të jetë i ndërtuar në vitin 2020, kur do të sjellim gazin deri te qytetarët dhe kompanitë në Gostivar dhe Tetovë, gjë që në mënyrë të konsiderueshme do të ul shpenzimet e qytetarëve dhe do të kontribuojë në uljen e ndotjes së ajrit.

 

Përfunduam ndërtimin e filtër-stacionit të sistemit të ujësjellësit në Tetovë, gjë që qyteti tani furnizohet me ujë cilësor.

 

Përfundoi edhe rehabilitimi i rrugës rajonale Tetovë-Kodra e Diellit në gjatësi prej 18,2 km, investim në vlerë prej 1,7 milionë euro dhe u përmirësua qasja deri në qendrën e skijimit në Kodrën e Diellit për të gjithë vizitorët.

 

Po rehabilitojmë rrugën rajonale Gostivar-Kollari-Kërçovë dhe realizojmë rikonstruimin e 5 urave në këtë aks rrugor dhe përmirësuam rrugën deri në Ohër për sigurinë e komunikacionit për të gjithë vozitësit. 

 

Me ndërtimin e sistemit të ujësjellësit në Komunën e Zhelinës, krijuam kushte për lidhjen e 18 vendbanimeve në komuna.

 

Në interes të qytetarëve zbatuam punët ndërtimore dhe  kemi pajisur më tepër kopshte të fëmijëve në Komunën e Bogovinës, Bërvenicës, në fshatrat Negotinë dhe Dobridoll në Komunën e Vrapçishtit, në Fshatin Prelubishtë në Komunën Jegunovcë, si dhe në Tetovë dhe Tearcë.

 

Për Gostivarin në rrjedhë është përpilimi i projektit, ndërsa në fshatrat e Komunës së Gostivarit, Raven dhe Forinë u hapën qendra për zhvillim të hershëm të fëmijëve, njëjtë sikurse në fshatrat e Tetovës, Brodec dhe Gajre.

 

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale hap zyra në 7 vendbanime në rajonin e Pollogut. Këto zyra kanë rëndësi të veçantë për qytetarët e mjediseve rurale, sepse drejtpërdrejtë do të kenë mundësi të dorëzojnë dokumente dhe të njoftohen për të drejtat e realizuara të mbrojtjes sociale.

 

Zyra të tilla hapen në: Bogovinë, Bërvenicë, Gostivar, Jegunovcë, Tearcë dhe Zhelinë.

 

Përmes projektit për përmirësimin e shërbimeve komunale, të cilin e zbaton Ministria e Financave me mbështetjen e Bankës Botërore dhe KE, është miratuar dokumentacioni teknik i Komunës së Tetovës për furnizim të autobusëve.

Në mars të vitit 2019 përfundoi ndërtimi i shkollës së re në fshatin Gurgurnica, Komuna e Bërvenicës.

 

Ministria e Financave lidhi kontratë për hua me Komunën e Tetovës për “Ndërtimin e një pjese të bulevardit Vidoe Smilevski Bato” në Tetovë në kuadër të projektit MSIP.

 

Përmes IPA granteve, Ministria e Financave ndau mjete për furnizimin dhe instalimin e sistemeve fotovoltaike në objektet publike komunale. Në Komunën e Tetovës u instaluan sisteme fotovoltaike me fuqi të përgjithshme prej 45 kW në Filtër-stacionet për sistem ujësjellës, në shkollën fillore komunale “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”, në Fshatin Poroj, dhe në shkollën e mesme “7 Marsi” në Tetovë.

 

Me mjete të Programit për përmirësimin e shërbimeve komunale financohet ndërtimi i dy filtër-stacioneve në Fshatin Negotinë dhe në Fshatin Dobri Doll në vlerë të përgjithshme prej 31,1 milionë denarë për furnizimin me ujë cilësor për 5223 qytetarë nga Dobri Dolli, 1383 nga Toplica dhe 3673 nga Negotina.

 

Përmes programit të Ministrisë së Kulturës u mbështet formimi i institucionit të ri nacional – Teatri i Gostivarit. Në rrjedhë janë punësimet e para, dhe sa jam i njoftuar bëhet fjalë edhe për premierën e parë.

 

Në fazën përfundimtare është edhe karabinaja e objektit të ri në Tetovë, “Qendra Kulturore-Arsimore” me teatër dhe bibliotekë të re, ndërsa para një jave u vu gurthemeli për ndërtimin e shtëpisë së kulturës në fshatin Kamenjan, Komuna Bogovinjë.

 

Nga programet për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në rrjedhë janë hulumtimet e Kalasë e Gjonovicës, ku në mënyrë aktive punojnë ekipet e qendrës Konservatore – Gostivar, ndërsa përfunduan edhe përgatitjet për fillimin e aktiviteteve të drejtpërdrejta për mbrojtjen dhe konservimin e pjesës hyrëse të Kalasë së Tetovës”.

 

Në vazhdim të mbledhjes fjalim mbajtën kryetarët e komunave dhe përfaqësuesit e komunave nga ky rajon dhe u përcaktuan qëllimet për realizimin e projekteve aktuale që realizohen në bashkëpunim me pushtetin lokal dhe qëndror dhe prezantohen prioritetet e ardhshme të cilat kryesisht kanë të bëjnë me projekte infrastrukturore në rrjedhë në rrjetin rrugor, në institucionet e arsimit si dhe në projektet për ujësjellës, sistemet e kanalizimit dhe depot për përpunimin e mbeturinave.