Kryeministri Zaev kryeson delegacionin e Qeverisë së Maqedonisë së Veriut në takimin e liderëve të NATO-s në Londër, në nder të 70-vjetorit të Aleancës

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, do të udhëheqë delegacionin e vendit tonë, në përbërje të të cilit janë edhe zëvendëskryetarja e Qeverisë dhe ministre e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, zëvendëskryetari i Qeverisë për Çështje Evropiane, Bujar Osmani dhe ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, në Takimin e Liderëve të NATO-s në Londër që do të mbahet më 3 dhe 4 dhjetor, me rastin e shënimit të 70 vjetorit të ekzistencës së Aleancës.
Në vendin qendror të programit, është Takimi i Këshillit Veriatlantik (NAC) të krerëve të shteteve dhe/ose të qeverive, të mërkurën më 4 dhjetor, në të cilin do të merr pjesë edhe Kryeministri Zaev, duke përfaqësuar kështu Maqedoninë e Veriut në nivelin më të lartë në punën e organeve të Aleancës, pasi që në shkurt të këtij viti u nënshkrua Protokolli i Anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Aleancë, të cilin deri më tani e kanë ratifikuar 28 anëtare të NATO-s.
Duke marrë pjesë në takimin e liderëve të shteteve anëtare, Maqedonia e Veriut e konfirmon përkushtimin e saj për të ndarë plotësisht parimet e sigurisë së përbashkët dhe për të ndërtuar marrëdhënie të forta transatlantike me Aleancën më të fuqishme ushtarake dhe politike të bazuar në vlerat demokratike, si një bazë për prosperitet dhe përparim të përbashkët të vendeve anëtare.
Anëtarësimi i plotfuqishëm në NATO është realizim i qëllimit strategjik të vendit tonë, të vendosur nga një konsensus në vitin 1993 dhe siguron kushte ideale për një zhvillim të përforcuar dhe të përshpejtuar ekonomik.
Kryetari i Qeverisë së RMV-së, Zoran Zaev nesër (e martë, 3 dhjetor), gjithashtu do të marrë pjesë edhe në panelin "Bisedime - Mbrojtje dhe parandalim për epokën e re", në margjinat e konferencës "NATO angazhohet: Inovacioni i Aleancës" ("NATO Engages: Innovating the Alliance").
Krahas Kryeministrit Zaev, në panel folës është edhe Presidenti i Polonisë, Andzhej Duda.
Kryeministri Zaev dhe anëtarët e delegacionit të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, gjatë samitit dy ditor të NATO-s në Londër, do të realizojnë më shumë takime dypalëshe.
Kryetari i Qeverisë së RMV-së Zoran Zaev është i ftuar gjithashtu në pritjen e Mbretëreshës Elizabeta në Pallatin Buckingham, të organizuar për të gjitha delegacionet, në nder të takimit të liderëve të NATO-s, si dhe në darkën për krerët e shteteve dhe/ose qeverive, të organizuar nga Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Boris Xhonson.