14 dhjetori, e shtunë do të jetë ditë pune për të punësuarit në një pjesë të institucioneve shtetërore

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e 167-të solli vendim që 14 dhjetori, e shtunë, të jetë ditë pune për të punësuarit në institucionet shtetërore. Në harmonizim me vendimin e Qeverisë, 14 dhjetori do të punohet si zëvendësim i datës 2 janar të vitit 2019, që u shpall si ditë jo pune për të punësuarit në institucionet shtetërore.

 

Ky konkluzion nuk vlen për punonjësit e institucioneve shëndetësore dhe arsimore. Konkluzioni rekomandohet të zbatohet nga njësitë e vetëqeverisjes lokale, ndërmarrjet publike dhe personat  tjerë juridikë të themeluar nga njësitë e vetëqeverisjes lokale, për të cilat 2 janari ishte ditë jo pune.

 

Sipas vendimit të Qeverisë, më 14 dhjetor, e shtunë,  sektori publik do të zhvillojë  aksion për pastrimin e mjedisit jetësor "Administrata pastron, me Mos u bë mbeturinë" me qëllim të ngritjes së vetëdijes për mjedis më të pastër jetësor. Për orarin dhe vendet e mbajtjes së këtij aksioni, të punësuarit në sektorin publik do të informohen në mënyrë plotësuese nga udhëheqësit të institucioneve.