Zaev dhe Carovska me fëmijët nga jetimoret e grupeve të vogla: Ëndërroni gjëra të mëdha, detyra jonë e shenjtë është që tju mbështesim në realizimin e ëndrrave tuaja

Fëmijët e jetimoreve të grupeve të vogla nga institucionet e mëparshme “11 Tetori”, “25 Maji” dhe “Ranka Millanoviq” sot në prag të festave të fund vitit u shoqëruan me Kryetarin e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe me ministren për Punë dhe Politikë Sociale, Milla Carovska.

Në takimin joformal fëmijët kënduan, lozën dhe shpjeguan se si e kalojnë ditën në jetimoret e reja, të cilat ata i quajnë shtëpi, por edhe treguan se cilat janë ëndrrat të cilat ata duan ti realizojnë.

Ata gjithashtu morën edhe dhurata për fund vit nga Qeveria, ndërsa si mirënjohje për mikpritjen e Kryetarit të Qeverisë dhe ministres Carovska u dhuruan fotografi të cilat ata vetë i kanë bërë me foto safari, si pjesë e punëtorisë edukative për fotografi.

“Pafundësisht jemi të lumtur dhe falënderues që kemi mundësi të vizitojmë Qeverinë. Kjo ndodh për herë të parë prandaj jemi shumë të emocionuar”, thanë edukatorët e jetimoreve të grupeve të vogla.

Kryetari i Qeverisë në takim tha se me hapjen e jetimoreve të grupeve të vogla në tërësi u ndryshua koncepti për kujdesin ndaj fëmijëve në Maqedoninë e Veriut.

“Dua tu them se jemi këtu dhe qëndrojmë pas jush, ju ëndërroni dhe realizoni të gjitha ëndrrat që keni imagjinuar, detyra jonë e shenjtë është që tu mbështesim dhe tu ndihmojmë në realizimin e ëndrrave tuaja”, u dëshiroi Kryeministri Zaev fëmijëve.

“Mbi gjithçka është e rëndësishme të dëgjojmë zërin e çdo fëmije. Tu ndihmojmë, ti mbështesim, sepse vetëm me dëgjimin e zërit të fëmijëve ne i vendosim bazat mbi të cilat duhet të krijojmë politikat e ardhshme. Bashkërisht të ndërtojmë shoqëri në të cilën të rinjtë tanë do të duan të jetojnë, ku do të mund të rriten të sigurt dhe të lumtur, të zhvillohen dhe të kenë sukses”, tha Kryeministri Zaev.

Ministrja Carovska tha se fëmijët janë potenciali më i çmueshëm për zhvillimin e një shteti dhe se prandaj kjo Qeveri mundëson që çdo fëmijë të rritet dhe të zhvillojë potencialin e vet që është i rëndësishëm për shoqërinë.

“Kjo është shumë emocionuese për mua. Ju jeni krenaria jonë”, theksoi ministrja Carovska.

Me këngë dhe pika kreative, fëmijët e përshkruan përditshmërinë e tyre dhe shfaqën talentet e tyre.

“Për çdo fëmijë – dashuri, sepse asgjë tjetër në botë nuk është më i rëndësishëm se fëmijët dhe asnjë fëmijë nuk guxon të vuajë dhe të jetojë në frikë. Fëmijë të cilët marrin inkurajim për zhvillimin e tyre, fëmijë të cilët besojnë në vete, të cilët janë të qëndrueshëm, emfatik dhe të cilët mësojnë dhe zbulojnë gjëra të reja, dinë se si të përballen me zhgënjimet. Atëherë ne krijojmë prosperitet, si dhe shoqëri më të avancuara, të fuqishme, të suksesshme dhe më të sigurta”, tha Carovska.

Pas shoqërimit në Qendrën e medias, fëmijët patën mundësi të shëtisin brenda objektit të Qeverisë. Kryeministri i priti në kabinetin e tij, panë edhe sallën në të cilë n mbahen mbledhjet e Qeverisë, e më pas edhe sallën solemne.

Në sallën e mbledhjeve, fëmijët i “morën” rolet e ministrave, dhe bashkë me Kryeministrin Zaev dhe ministrja Carovska në “Qeverinë e fëmijëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut” “njëzëri” miratuan vendimin që “të gjithë fëmijët e vendit tonë duhet të jenë të lumtur”.

Me procesin e deinstitucionalizimit, Ministria për Punë dhe Politikë Sociale një vit më parë nga planifikimi, arriti që të nxjerrë të gjithë fëmijët nga institucionet. Deri tani në tërë shtetin janë hapur gjithsej 22 jetimore për grupe në të cilat në atmosferë familjare jetojnë 180 fëmijë. Ministria për Punë dhe Politikë Sociale vazhdon me përkushtim të kujdeset për çdo fëmijë dhe të ngrit vetëdijen publike për nevojën, domethënien dhe përfitimin nga procesi i deinstitucionalizimit.