Kryeministri Spasovski: Riparimi dhe rindërtimi i kolektorit do të përfundojë në afatin e paraparë dhe këtë verë Liqeni i Ohrit do të ketë ujë të pastër për not

Punimet për riparimin dhe rindërtimin e sistemit kolektor përgjatë vijës bregdetare të Liqenit të Ohrit që filluan në muajin dhjetor të vitit të  kaluar zhvillohen ashtu si është planifikuar dhe këtë verë Liqeni do të ketë ujë të pastër dhe të sigurt për not, është konstatuar në inspektimin për mbarëvajtjen e punimeve për pastrimin dhe rindërtimin  e sistemit kolektor në rajonin Ohër-Strugë, që sot kanë bërë Kryetari i Qeverisë së RMV-së, Oliver Spasovski, bashkë me ministrin pa portofol, Edmond Ademin, i cili është i ngarkuar për koordinimin e aktiviteteve për përmbushjen e obligimeve që dalin nga rekomandimet e UNESKO-s për zonën e mbrojtur të rajonit të Ohrit dhe drejtorin e Ndërmarrjes Publike Sistemi kolektor, Vlladimir Aleksijoski.

Punimet për riparimin dhe rindërtimin e sistemit kolektor filluan në shtrirje të tunelit në rrugën Ohër – Peshtan, për në Shën Stefan deri tek Biljanini Izori dhe në gjatësi më tepër se 2 km, tubat e kolektorit janë pastruar nga rrënjët, mbeturinat dhe shtresa të tjera. Në këtë shtrirje për 80% ishte zvogëluar funksioni i sistemit kolektor dhe për këtë arsye në vendet ku tubat ishin dëmtuar ose seriozisht të dëmtuar,  filloi  rindërtimi sipas sistemit “tubë në tubë” dhe me këtë u sigurua rrjedhë normale, e plotë e ujërave për pastrim.

 

“Për sistemin për pastrimin e ujërave të zeza në Liqenin e Ohrit nuk është kujdesur vite me radhë  dhe ai është dëmtuar. Realizimi jo i plotë dhe mungesa e mirëmbajtjes së sistemit kolektor, krijuan dëme dhe kërcënime serioze ekologjike për Liqenin e Ohrit dhe  bukurinë natyrore dhe rrallësinë e rrethinës së saj. Në 5 muajt e ardhshëm, do të korrigjojmë atë që me vite është lënë pas dore nga pakujdesia dhe mosveprimi. Për këtë qëllim janë siguruar 4,2 milionë euro nga Buxheti i qytetarëve të vendit tonë”, tha në deklaratën për mediat Kryeministri Spasovski, i cili inspektimin në punët për riparimin e sistemit kolektor e bëri si pjesë e agjendës së mbledhjes së 7-të të Qeverisë, që u mbajt në Ohër.

 

Në aktivitetet deri në fund të këtij muaji janë përfshirë punimet për riparimin e aksit rrugor nga Llagadin për në Peshtan, si pjesë e vendbanimit Dalljan deri në Podmolje.  Menjëherë pas kësaj, do të fillojnë punimet në tërë gjatësinë e kolektorit  përgjatë vijës bregdetare Ohër – Strugë.

 

Paralelisht me këto punime rindërtimi dhe riparimi shtrohen edhe reduktuesit e pompave të stacioneve për spastrim e ujit për sigurimin e funksionimit të plotë të sistemit të kolektor.

“Liqeni i Ohrit dhe zona e mbrojtur nga UNESKO janë krenaria jonë, por edhe shqetësimi ynë për të gjithë dhe për atë shkak vijon riparimi i plotë i sistemit kolektor. Qëllimi ynë është të tregojmë se dimë dhe kujdesemi për vlerat tona natyrore dhe kulturore dhe këtë kjo Qeveri e dëshmoi”, theksoi Kryetari i Qeverisë së RMV-së, Oliver Spasovski.

 

Ministri pa portofol Edmond Ademi, i ngarkuar  për koordinimin  e aktiviteteve për përmbushjen e obligimeve që dalin nga rekomandimet e UNESKO-s për zonën e mbrojtur të rajonit të Ohrit dhe drejtori i Ndërmarrjes Publike Sistemi kolektor, Vlladimir Aleksijoski në deklaratat për mediat, theksuan se do të prezantohen të gjitha aktivitetet e caktuara të parapara në Planin për menaxhim me zonën e mbrojtur të Liqenit të Ohrit, ndër të cilat është edhe riparimi dhe rindërtimi i sistemit kolektor.