Kryeministri Spasovski në takim me ministrat e punëve të jashtme, anëtarë të grupit “Miq të zgjerimit”: Janë krijuar të gjitha kushtet për përmirësimin e gabimit strategjik nga tetori i vitit të kaluar dhe fillimin e negociatave të BE-së me RMV

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski, sot priti në takim delegacionin e ministrave për punë të jashtme të Republikës së Polonisë, Republikës së Letonisë (Letoni), Republikës së Lituanisë dhe zëvendësministrin  për Punë të Jashtme të Republikës së Estonisë, që përbëjnë grupin “Miq të zgjerimit”.

 

Kryeministri Spasovski, ministrit për Punë të Jashtme të Republikës së Polonisë, Jacek Caputoviq, ministrit për Punë të Jashtme të Republikës së Letonisë, Edgars Rinkeviq, ministrit për Punë të Jashtme të Republikës së Lituanisë, Linas Linkeviçius dhe zëvendësministrit për Punë të Jashtme të Republikës së Estonisë, Mart Vollmer, të cilët qëndrojnë për vizitë dyditore në vendin tonë, u uroi mirëseardhje dhe vizitë të suksesshme, e cila realizohet në të njëjtën ditë kur Komisioni Evropian publikoi raportin për Maqedoninë e Veriut, në të cilin konstatohet avancim i dukshëm, që plotësisht përputhet me misionin e grupit të vendeve “Miq të zgjerimit” të BE-së.

Në takimin në Qeveri, ku morën pjesë edhe ministri i Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Nikolla Dimitrov, Kryeministri Spasovski, theksoi se kjo vizitë është shprehje e mbështetjes së madhe dhe miqësisë së fuqishme të Maqedonisë së Veriut me vendet e përfaqësuara në grupin “Miq të zgjerimit”, si dhe me të gjitha shtetet e tjera anëtare të BE-së dhe se afrohet momenti kur vendi ynë do të bëhet anëtar i NATO-s edhe kur presim vendim pozitiv për fillimin e negociatave me BE-në.

 

“Shprehim falënderim për vëmendjen dhe për deklaratat e hapura publike me mbështetje për Maqedoninë e Veriut dhe për hapje të shpejtë të negociatave aderuese, posaçërisht në periudhën e ardhshme vendimtare. Këto janë sinjale pozitive për përkushtimin dhe guximin tonë në zbatimin e përpjekjeve të vështira të reformave, si dhe në arritjen e Marrëveshjes së Prespës, Marrëveshjes me Bullgarinë, si dhe në zbatimin e dispozitave të këtyre marrëveshjeve”, theksoi Kryetari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, Spasovski.

 

Kryeministri Spasovski tha se metodologjia e re hap mundësi për avancim thelbësor të procesit të negociatave, për parashikim dhe respektim të prerë të parimit të meritave dhe kthen besueshmërinë e BE-së në vend dhe në rajon.

 

“Ne duam që të jemi shembull për rajonin në zbatimin e qasjes së re. Presim që vendimi për negociata të jetë fillim i një procesi dinamik”, theksoi Kryeministri Spasovski.

 

Ministrat për punë të jashtme të Republikës së Polonisë, Republikës së Letonisë, Republikës së Lituanisë dhe zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Estonisë, në këtë takim edhe njëherë theksuan mbështetjen e tyre të fuqishme dhe të palëkundur për hapjen e negociatave me Maqedoninë e Veriut për anëtarësim në BE dhe potencuan se gabimi strategjik për mosmiratimin e fillimit të këtij procesi në tetot të vitit 2019, do të përmirësohet gjatë periudhës në vijim.