Filipçe: Të gjithë të punësuarit në Klinikën për Dermatovenerologji më izolim shtëpiak 14 ditor, do të ndërmerren masa për drejtoreshën, përgjegjësi do të ketë për secilin që nuk u përmbahet masave të përcaktuara

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, në konferencën e sotme për shtyp apeloi që informacionet të merren vetëm nga Ministria e Shëndetësisë, për shkak se informacionet e rrejshme shkaktojnë panik dhe nuk duhet të shfrytëzohet kjo situatë për marrjen e pikëve politike.

“Pas vendosjes së pacientes mjeke në Klinikën infektive edhe dy anëtarë të familjes së saj janë në izolim shtëpiak. Janë intervistuar të gjithë të punësuarit, si dhe pacientët në Klinikën për dermatologji dhe me vendim të Inspektoratit shtetëror sanitar shëndetësor të gjithë do të shkojnë në izolim shtëpiak 14 ditorë. Gjithsej 64 të punësuar. Në izolim shtëpiak janë edhe 11 pacientë të cilët kanë qenë të hospitalizuar në Klinikë dhe te të cilët mjekimi mund të vazhdojë në kushte shtëpiake dhe 13 pacientë që janë trajtuar gjatë javës së kaluar në spitalin ditor, që do të thotë kanë ardhur vetëm për të marrë terapi. Edhe pse të gjithë janë me shkallë të ndryshime të rrezikut nga më i vogli, i mesëm dhe i lartë sipas intensitetit të kontaktit me mjeken e infektuar, kompetentët vlerësojnë se duhet të ndërmerret kjo masë për të gjithë që kanë qenë madje edhe në kontakt më të shkurtër me të”, potencoi ministri Filipçe.

“Gjatë fundjavës u mbajt një konferencë e dermatovenerologëve ku kanë marrë pjesë gjithsej 103 persona, disa prej tyre të punësuar në Klinikë. Të gjithë janë kontaktuar përmes telefonit, me disa prej tyre tashmë janë realizuar intervista nga epidemiologët dhe për të gjithë është dhënë izolimi në shtëpi. Midis mysafirëve ka pasur edhe tre persona nga Greqia për të cilët personalisht e njoftova ministrin grek të Shëndetësisë për identitetin e tyre. Salla ku është mbajtur konferenca është tërësisht e dezinfektuar, sipas rregulloreve, dhe e njëjta gjë është bërë edhe me klinikën nga ana e shërbimit adekuat.

“Dua të them se edhe pas asaj që parashikuam rreziqe, shumë kohë para dhe shumë para vendeve tona fqinje i zbatuam të gjitha masat paraprake, si në aeroporte ashtu edhe në vendkalimet kufitare, kjo që u përballëm sot është diçka që me të vërtetë na dëshpëroi shumë. Do të merren masa për drejtoreshën, tani është periudhë parazgjedhore, nuk mund të kryhen emërimet dhe shkarkimet, por në mundësinë e parë ajo do të shkarkohet nga funksione, por në këtë moment kjo nuk është relevante duke pasur parasysh që e tërë klinika do të jetë e mbyllur për 14 ditë. Potencoj se përgjegjësi do të ketë për çdonjërin që nuk do tu përmbahet masave të propozuara. Në këtë kuptim, përsëri u bëj thirrje të gjithë atyre që u është përcaktuar masa e izolimit shtëpiak nëse kanë udhëtuar në rajone me rrezik t’u kushtojnë vëmendje masave dhe t’u përmbahen të gjitha masave që ne si MSH i kemi përsëritur disa herë në ditë, për disa javë, ndërsa rrezikimi i shëndetit publik është kundërvajtje shumë e rëndë. Askush nuk do të kursehet nga përgjegjësia. Dua të bëj thirrje për maturi, dua të bëj thirrje për respektim maksimal absolutisht të të gjitha rekomandimeve”, tha ministri Filipçe.

Tetë pacientë të tjerë aktualisht po ekzaminohen në Klinikën e Sëmundjeve Infektive. Është një pacient, i cili, më 26 shkurt ka qëndruar në Bullgari ka zhvilluar simptome të ngjashme me gripin, ashtu si edhe gruaja e tij. Testohet edhe një udhëtarë nga Singapori, shtetasi ynë, i cili u kthye në vendin tonë tre ditë më parë, katër persona që ishin në kontakt me pacientët nga Dibra, të cilët ishin pozitivë në koronavirus, si dhe një pacient nga Gjevgjeli për të cilin është dërguar material dhe për të cilin priten të dhënat epidemiologjike nga epidemiologu lokal. Menjëherë pasi të arrijnë rezultatet, ato do të dërgohen edhe në një fazë të testimit dhe opinioni do të informohet menjëherë.