Pesë raste të reja me virusin korona në vend, nesër test kontrollues për edhe dy persona të cilët janë testuar në Klinikën “Zhan Mitrev”

Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, informoi që janë testuar 7 persona Prej tyre, rezultatet janë negative për 6 persona, ndërsa pozitiv është rezultati i një paciente e cila ka qenë e kontrolluar në Klinikën Infektive në Shkup. Pacientja është në moshën 54 vjeçare, është kthyer nga Holanda natën ndërmjet datës 12 dhe 13 të këtij muaji. Ajo ka pasur simptome dhe sot është paraqitur për kontroll në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup.

“Janë gjetur të gjitha kontaktet nga familja, ajo ka qenë në vetë-izolim, sipas asaj që ajo e tregon dhe anketës së epidemiologëve. Janë kontaktuar anëtarët e familjes, taksisti i cili e ka dërguar nga aeroporti në shtëpi, ndërsa për momentin po kontaktohen edhe 31 persona të cilët janë kthyer me aeroplanin, i cili ka arritur nga Vjena. Ajo ka fotografi të lehtë klinike dhe tanimë është hospitalizuar. Me këtë, numri i të shtruarve në Klinikën për Sëmundje Infektive dhe Gjendje Febrile në Shkup, tani është 14”, deklaroi ministri Filipçe.

 

Këtë pasdite, edhe 10 persona të tjerë u testuan për virusin korona – 7 nga Dibra, 4 prej të cilëve kanë pasur kontakt me të sëmurit dhe të njëjtët kanë pasur rezultate pozitive, si dhe 3 të tjerë të cilët rezultuan negativ.

 

Për virusin korona u testuan edhe dy persona në Klinikën “Zhan Mitrev” në Shkup/

 

“Dy persona të cilët kanë pasur simptome të gripit, janë paraqitur në laboratorin e Klinikës “Zhan Mitrev”. Për të njëjtit janë marrë materiale dhe testet janë pozitive. Mirëpo, ato teste për shkak të harmonizimit dhe unifikimit të metodës së testimit, ne do t'i testojmë ato në laboratorin tonë nesër ", potencoi ministri.

 

Nesër pasdite do të dihen rezultatet e pacientëve të testuar në Klinikën “Zhan Mitrev”. Për momentin gjendja në vend është 23 raste të konfirmuara me virusin korona, nëpërmjet laboratorit të ISHP Shkup.

 

Në konferencën për shtyp, pas përfundimit të fjalimit të ministrit Filipçe, ministri i Punëve të Jashtme, Nikolla Dimitrov, apeloi deri te qytetarët që të jenë të guximshëm dhe të qetë dhe të mos udhëtohet, për shkak se, siç tha ai, të situatës së paparashikueshme e cila ndryshon nga ora në orë. Mbyllen vendkalimet kufitare për shtetasit e huaj.

 

Gjithashtu, apeloi edhe deri te qytetarët maqedonas të cilët kanë qëndrim të rregulluar në shtet tjetër, të mos udhëtojnë drejt atdheut në këtë periudhë krize.