Filipçe: Strategjia e testimit të gjerë dhe intensiv, duke përfshirë edhe kontakte të personave pozitiv me indikacione, po tregon rezultat

Ministri i Shëndetësisë dr. Venko Filipçe, në konferencë për shtyp sot informoi për gjendjen më të re me virusin COVID-19 në vendin tonë. Ai informoi edhe për statistikën që ka të bëj me pacientët, gjendjen e spitaleve, përgatitjen e kapaciteteve për periudhën e ardhshme, për analizat e Institutit të shëndetit publik për javët e kaluara, si dhe për gjendjen në rajon.

“Gjatë dhjetë ditëve të fundit, kriza me virusin korona përsëri u përshkallëzua gjithandej nëpër Ballkan, në vendet fqinje. Organizata Botërore e Shëndetësisë informoi se 60% e rasteve nga 10 milionë të infektuar me COVID-19 në mbarë botën, janë regjistruar në muajin qershor. Kjo dëshmon se gjithandej ka valë të re, e cila tek ne erdhi pak më herët dhe të cilën shumë herët e zbuluam. Tani po paraqitet tek të gjitha vendet që na rrethojnë dhe kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e zbutjes së masave restriktive dhe mos respektimit të masave për mbrojtje personale”, theksoi ministri Filipçe.

Gjendja në botë, gjithashtu vërteton se parashikimet e para të autoriteteve botërore shëndetësore, se virusi gjatë verës do të zhduket – në fakt nuk u realizuan.

“Gjatë ditëve të fundit, statistika botërore flet se ka kulme të të infektuarve dhe të vdekurve të ri dhe ky është edhe një konfirmim tjetër që virusi është këtu. Do të qëndrojë si duket edhe më gjatë, ndërsa ne duhet të jemi të përgatitur. Doemos duhet të përgatisim sistemin e shëndetësisë, t’i respektojmë masat për mbrojtje personale, të përshtatemi me realitetin e ri, që nënkupton vazhdimin e të gjitha aktiviteteve normale, por me respektimin e masave për mbrojtje personale. Gjithashtu doemos duhet të pranojmë se ky realitet mund të zgjasë edhe më shumë se sa u prit fillimisht nga të gjitha vendet e botës”, tha ministri Filipçe.

Në raportin e fundi të Institutit për shëndet publik, nga  20 deri më 28 qershor, në krahasim me javën paraprake, në vendin tonë janë regjistruar 303 më pak raste të reja me COVID-19, me më pak raste të vdekura, 216 më shumë pacientë të shëruar. Java e kaluar ka gjithsej rreth 860 raste, që paraqet më pak se 1.000 raste mesatare gjatë tri javëve paraprake, që do të thotë se edhe javën e kaluar incidenca është pak më e ulët. RO faktori i përhapjes gjatë 10 ditëve të shkuara, dy-tre ditë është vetëm mbi njësi – 1,1, pjesa tjetër e periudhës është rreth 0.9. 

“Në periudhën e përmendur janë regjistruar persona të infektuar nga të gjitha grup moshat, ndërsa më tepër personat më të moshuar mbi 60 vjeç – 26%. Bëj thirrje edhe njëherë që të moshuarit dhe  të sëmurët kronik të jenë shumë të kujdesshëm, sepse janë më të prekur si dhe vdekshmëria në këtë grup është më e lartë. Në raportin e fundi të Institutit për shëndet publik, ka 57 raste vdekjesh nga 10 qytete, që paraqet 8 raste vdekjesh më pak se javën e kaluar. Numri më i madh i rasteve janë në moshë mbi 60 vjeç, ndërsa 44 prej tyre janë persona me sëmundje paraprake kronike. Lidhur me përhapjen sipas qyteteve, numri më i madh i rasteve janë shënuar në Shkup - 46%, Tetovë - 13%. Këto qytete vazhdojnë të mbesin vatrat më të mëdha në vendin tonë. Në 15 qytete të vendit, për periudhën e njëjtë, numri i të infektuarve të ri është nën 20. Raste sporadike ka në më shumë qytete, numrat ndryshojnë kudo, por ajo që mund të përfundohet nga javët e kaluara është se nuk ka shenja se ekziston vatër tjetër potenciale përveç Shkupit, Tetovës dhe disa raste më shumë në Gostivar", tha ministri Filipçe.

Gjatë periudhës së përmendur, të shëruar vlerësohen 447 persona të cilët kanë qenë të hospitalizuar apo në shërim shtëpiak, që paraqet 216 më shumë nga java e kaluar e raportimit dhe ky është indikator i rëndësishëm dhe pozitiv i cili ndikon në uljen e rritjes së rasteve aktive.

“Në vend deri më tani janë bërë 68.059 testime. Strategjia e testimit të gjerë dhe intensiv, duke përfshirë edhe kontaktet e personave pozitiv me indikacione po tregon rezultat, siç mund të vërehet mesatarisht kemi rreth 8.000 teste në javë. Kjo qasje na mundëson të kemi një pasqyrë të gjerë në gjendjen lidhur me përhapjen e virusit. Ky sistem ndihmon që të stabilizojmë situatën në të dyja vatrat, para së gjithash në Shkup dhe rajonin e Tetovës dhe të qëndrojmë në këtë rritje lineare të rasteve të reja. Si rezultat i kësaj strategjie, kemi zbulim të hershëm të rasteve asimptomatike dhe izolimin e tyre, për çka janë duke punuar intensivisht të gjitha qendrat e shëndetit publik, e në veçanti Qendra për shëndet publik në Shkup, në punën e së cilës janë kyçur të gjithë kolegët e qendrës e jo vetëm epidemiologët dhe me përcjelljen e tillë intensive të kontakteve, pengohet përhapja e infektimit”, theksoi ministri Filipçe.

Ai tha se edhe në periudhën që vijon do të vazhdohet me strategjinë e njëjtë dhe bëri thirrje deri tek qytetarët që të bashkëpunojnë me punëtorët shëndetësor, të japin të dhëna të sakta për anketat epidemiologjike, sepse kjo paraqet segment shumë të rëndësishëm për zbulimin e hershëm të rasteve të reja.

“Analiza e raportit të përqindjes së rasteve pozitive dhe testimeve tregon se kemi një mesatare prej 13% nga numri i përgjithshëm i testimeve të bëra, në periudhën e kaluar ky numër nuk ndryshon dukshëm. Gjatë 24 orëve të fundit janë bërë 894 testime, janë regjistruar 78 raste të reja. Instituti për shëndet publik ka regjistruar 172 persona të shëruar, të vdekur janë 5 pacientë. Numri i përgjithshëm i të diagnostifikuarve në vendin tonë prej fillimit të epidemisë është 7.124, të shëruar janë 3.199, të vdekur 346 dhe për momentin numri  i rasteve aktive është 3.579. Lidhur me hospitalizimin gjatë periudhës së kaluar, e gjithë ekipa e Ministrisë së Shëndetësisë dhe menaxherët e spitaleve, kanë qenë të përkushtuar në menaxhimin e kapaciteteve dhe resurseve, si dhe në organizimin e sistemit të rotacionit”, informoi ministri Filipçe.

Momentalisht të hospitalizuar janë 421 pacientë të dyshimtë dhe pozitiv me COVID-19, apo 11,4% nga numri i përgjithshëm i rasteve aktive. Numri i hospitalizimeve të rasteve aktive është pothuajse i njëjtë në periudhën e kaluar dhe lëviz nga 11 deri 12%. 88% tjetër janë në shërim shtëpiak me pasqyrë të lehtë klinike ose asimptomatik. Në periudhën e kaluar i dukshëm është edhe numri i pacientëve të shëruar dhe të liruar nga spitalet dhe ky numër në fakt është i barabartë me numrin e pranimeve të reja.

Analiza e pacientëve të hospitalizuar gjatë ardhjes së tyre në spital, tregon se ka përqindje të pacientëve të cilët vijnë në spital pasi që gjendja e tyre dukshëm të rëndohet.

“Sa i përket gjendjes me kapacitetet spitalore dhe vendet e lira në Klinikën Infektive, gjatë 24 orëve të fundit janë pranuar 5 pacientë, ndërsa gjithsej janë të hospitalizuar 90, në mbështetje oksigjeni janë 53 pacientë, ka rreth 20 shtretër në dispozicion në këtë klinikë. Ky trend i numrit më të vogël të pacientëve të pranuar nga ata të liruar, vazhdon disa ditë me radhë në krahasim me periudhën e para një jave deri më 10 ditë. Në spitalin Kozle janë hospitalizuar 29 pacientë të moshuar dhe 4 fëmijë. Në SPQ “8 Shtatori” janë pranuar 6 pacientë të ri, gjithsej të hospitalizuar janë 122 pacientë, në respirator janë 3 persona. Në spitalin në Manastir të hospitalizuar janë 37, në Shtip 45 pacientë, në të dyja spitalet ka shtretër të lirë për ditët në vijim dhe gjithashtu me plan për lirimin e pacientëve të shëruar. Në repartet infektive në Tetovë, Ohër, Veles, Kumanovë, Prilep dhe Gostivar gjithsej të hospitalizuar janë 94 pacientë dhe nuk ka repart në të cilin nuk ka shtretër të lirë për momentin”, tha ministri Filipçe.

“Bëj thirrje deri tek qytetarët, që në mënyrë të plotë dhe me çdo kusht t’i respektojnë masat për mbrojtje – maskë, distancë, higjienë e rregullt, dezinfektim i duarve. Këto janë masa universale që bazohen në principet e njëjta, si dhe masat tjera në botë. Nuk ka mënyrë tjetër që të mbrohemi nga virusi kovid. Jetojmë me virusin, doemos duhet ta pranojmë këtë si realitet, të funksionojmë normalisht, të punojmë si dhe të shoqërohemi. Vetëm me respektimin e masave, do ta ruajmë veten, familjet tona, miq tanë dhe bashkëqytetarët tanë. Kështu do t’i mbrojmë dhe ndihmojmë punëtorët shëndetësor, të cilët 5 muaj po punojnë me sakrificë natë e ditë dhe po luftojnë për jetët njerëzore. T’i respektojmë të gjithë masat që ta ruajmë sistemin tonë shëndetësor dhe ai të mbetet stabil”, theksoi Filipçe.