Nga mbledhja e 74-të e Qeverisë: 15 korriku shpallet ditë jo pune; Kthehen në proces të rregullt pune të gjithë punonjësit e institucioneve përgjegjëse për zbatimin e procesit zgjedhor

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut në mbledhjen e 74-të, solli konkluzion me të cilin 15 korriku shpallet ditë jo pune, me qëllim të realizimit pa pengesë të procesit zgjedhor për zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe e njëjta ditë nuk do të punohet.

Në këtë mbledhje, Qeveria e pranoi propozimin e Komisionit për sëmundje ngjitëse, me të cilin nga kategoria e personave të liruar nga puna dhe aktivitete të punës – prindërit e fëmijëve deri në moshën 10 vjeçare, në këtë periudhë të kthehen në vendet e punës vetëm prindërit e fëmijëve që janë të përfshirë në procesin edukativo-arsimor në shkolla, duke pasur parasysh që viti shkollor 2019/2020 ka përfunduar.

Gjithashtu, institucionet të cilat gjatë zgjedhjeve të ardhshme të parakohshme për deputetë në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, kanë vëllim të shtuar të punës në kompetencat e tyre lidhur me procesin zgjedhor, si për shembull Gjykata Themelore dhe Gjykata e Lartë Administrative, Komisioni Shtetëror Zgjedhor etj., t’i kthejnë në proces të rregullt pune punonjësit e këtyre institucioneve, të cilët në baza të ndryshme janë të përfshirë dhe të liruar nga aktivitetet e punës me masat dhe rekomandimet e Qeverisë, me qëllim të realizimit pa pengesë të kompetencave të rregullta ligjore që kanë të bëjnë me aktivitetet në periudhën zgjedhore.

Në këtë mbledhje, Qeveria e miratoi Protokollin për punë të Qendrave ditore për fëmijë dhe persona me aftësi të kufizuara në kushte të epidemisë nga sëmundja ngjitëse COVID-19.

Ministria e Punës dhe Politikës Sociale, si përgjegjëse në pjesën e kujdesit ditor për fëmijë dhe persona me aftësi të kufizuara, përgatiti protokollin i cili bazohet në vendimet, rekomandimet, dispozitat, protokollet dhe dokumentet e tjera të shkruara nga Qeveria e RMV-së, Ministria e Shëndetësisë dhe Inspektorati Shtetëror Sanitar dhe Shëndetësor, pas shfuqizimit të gjendjes së jashtëzakonshme dhe me fillimin e punës së qendrave ditore.

Në këtë mbledhje u miratuan edhe ndryshimet dhe plotësimet e Protokollit për mënyrën dhe kushtet e organizimit të ngjarjeve vetëm në ambiente të hapura.

Qeveria e shqyrtoi dhe miratoi Informacionin dhe përcaktoi tekstin e Memorandumit për mirëkuptim dhe Marrëveshjet teknike për mbështetje të shërbimit ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut të përfaqësuar nga Ministria e Mbrojtjes dhe NATO Organizatës për komunikime dhe informacione të përfaqësuar nga NATO Agjencia për komunikime dhe informacione lidhur me konsultime, komandë, kontroll, komunikime, zbulim, mbikëqyrje dhe e autorizoi sekretarin shtetëror të Ministrisë së Mbrojtjes që të nënshkruajë Memorandumin për mirëkuptim, marrëveshjet teknike për mbështetje të shërbimit dhe pakot për mbështetje të shërbimit në këto fusha.

Në këtë mbledhje, Qeveria e shqyrtoi dhe e miratoi Informacionin për nxitjen e pagesave pa para të gatshme në njësitë e vetëqeverisjes lokale dhe solli konkluzion, që të gjitha njësitë e vetëqeverisjes lokale të cilat deri më tani nuk kanë vendosur POS terminale për pagesë të shërbimeve komunale, të vendosin këtë opsion për pagesë të shërbimeve të tyre, më së voni në afat prej 1 viti nga dita e miratimit të këtij informacioni.

Me konkluzionet e Qeverisë gjithashtu u rekomandohet komunave të cilat shfrytëzojnë POS terminale për pagesën e shërbimeve të tyre, të zgjerojnë llojet dhe shërbimet që do të mund të paguhen pa para të gatshme.

Këto propozim masa të Ministrisë së Financave, në bashkëpunim me Bankën Popullore për stimulimin e pagesave pa para të gatshme dhe pagesave digjitale, kanë për qëllim të hapin rrugën drejt një shoqërie pa para të gatshme dhe bashkëkohore, që kontribuon në mirëmbajtjen e ekonomisë të qëndrueshme, stabilitetin financiar dhe sistemin bankar të shëndoshë dhe produktiv. Reduktimi i përdorimit të parave të gatshme, pritet të ndikojë edhe drejt zvogëlimit të ekonomisë joformale dhe me këtë edhe evazionit tatimor, për shkak se mbizotërimi i lartë i parave të gatshme në qarkullim, shumë shpesh është indikator për praninë e transaksioneve ekonomike të pa regjistruara dhe mund të nxisë ekonominë gri joformale, që paraqet humbje për ekonominë në tërësi.