Bujar Osmani

Pozita e punës: 
Ministër i Punëve të Jashtme
Posta elektronike: 
mailmnr@mfa.gov.mk, pr@mfa.gov.mk
Profili në Twitter: 
Profili në Instagram: 
Фотографија: 
Biografia: 

Bujar Osmani ka lindur më 11 Shtator 1979 në Shkup, në Republikën e Maqedonisë. Diplomoi në Fakultetin e Mjekësisë në Shkup në vitin 2004. Një pjesë të specializimit e ka kryer në Mbretërinë e Bashkuar, në Londër, në periudhë prej vitit 2006 deri më 2007, ndërsa në vitin 2012 merr titullin Kirurg specialist. Në vitin 2014 filloi studimet e doktoraturës në Universitetin “Shën Kirili dhe Metodi” në Shkup ku edhe doktoroi në korrik të vitit 2018. 

Përvojën e tij të punës e filloi në vitin 2004 si mjek në Klinikën Universitare, reparti i Kirurgjisë “Shën Naumi i Ohrit” në Shkup. Në vitin e 2008 emërohet Ministër i Shëndetësisë i Republikës së Maqedonisë dhe atë funksion e mban deri në vitin 2011. Që nga viti 2011 është Kirurg specialist në Klinikën Universitare të Kirurgjisë Digjestive në Shkup. Në vitin 2011 poashtu u emërua edhe si Sekretar për Komunikim me publikun në Kryesinë e Bashkimit Demokratik për Integrim. 

Nga qershori i vitit 2017 emërohet si Zëvendëskryetar i Qeverisë për Çështje Evropiane. Gjatë këtij mandati Republika e Maqedonisë së Veriut realizoi progres të rëndësishëm në integrimet evropiane: në procesin e Stabilizim-asociimit vendi kaloi në fazën e dytë; Republika e Maqedonisë së Veriut u bë pjesë e Iniciativës Adriatiko-Joniane, ndërsa si arritje kyçe vlerësohet vendimi për fillim të negociatave me Bashkimin Evropian.

Si kryesues me Sekretariatin për Çështje Evropiane, Osmani njëherit ishte edhe Koordinues Kombëtar për shpërndarje të ndihmës së huaj dhe të fondeve IPA në vend. Nën kryesimin e Osmanit dukshëm u përmirësua absorbimi i mjeteve IPA nga Bashkimi Evropian, si dhe u shënua progres i madh në bashkëpunimin bilateral dhe në shfrytëzimin e ndihmës bilaterale. 
Nga korriku i vitit 2018 është emëruar Shef i Delegacionit shtetëror dhe Negociues kryesor me Bashkimin Evropian, nën kryesimin e të cilit u udhëhoq dhe me sukses përfundoi procesi i skriningut shpjegues me Bashkimin Evropian.

Osmani është anëtar i përhershëm i Shtabit Kryesor të Qeverisë për Kriza për ballafaqim me COVID-19, si dhe në gjysmën e parë të vitit 2020 ishte i emëruar Koordinues Kryesor i shtabeve lokale të krizave dhe i Shtabit të Krizave të Qytetit të Shkupit. 

Më 30 gusht 2020, Bujar Osmani zgjidhet Ministër i Punëve të Jashtme të Republikës së Maqedonisë së Veriut. 

Bujar Osmani është i martuar dhe baba i dy fëmijëve. Flet gjuhë shqipe (gjuhë amtare), gjuhë maqedonase, gjuhë angleze, dhe pjesërisht gjuhë frënge.

 

Letër mandati - Bujar Osmani