Zaev: Kemi vullnet të fuqishëm politik dhe gatishmëri që të zbatojmë reforma të thella strukturore, madje edhe ato që janë jopopullore

“Kemi vullnet të fuqishëm politik dhe gatishmëri për zbatimin e tërësishëm dhe të thellë të reformave strukturore”, theksoi Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në emisionin “Magazina ekonomike” në TV Alsat, në pyetjen se cila është përgjigja e Qeverisë në raport me këtë çështje që e përmend edhe Komisioni Evropian në raportin vjetor për vendin tonë.

 “Disa nga këto masa janë jopopullore, por do të duhet të zbatohen. Ulja drastike e shpenzimeve joproduktive, përfshirë këtu edhe uljen e administratës për 20%, është diçka që do të lirojë mjete financiare shtesë për të ndihmuar ekonominë me investime kapitale. Produktivitetin tonë duhet ta barazojmë me atë të vendeve tjera të BE-së, ndërsa kjo do të bëhet me zbatimin e vazhdueshëm të reformave gjyqësore dhe në arsim”, theksoi Kryeministri Zaev.

 Ai potencoi se digjitalizimin duhet ta pranojmë si një domosdoshmëri dhe kjo krizë  tregoi se është një nevojë thelbësore.

“Shumë prej vendeve tradicionale të punës do të zhduken, por prandaj me digjitalizim hapet spektër shumë i gjerë i vendeve të reja ose deri më tani të jo mjaft të pranuara. Çdo krizë sjell edhe mundësi të cilat ne duhet t'i njohim dhe t'i shfrytëzojmë dhe duhet të jemi të përgatitur të punojmë në rrethana të tilla", potencoi Kryeministri Zaev në debatin e emisionit “Magazina ekonomike” në TV Alsat.