Kryeministri Zaev dhe zëvendëskryeministri Bytyqi në takim me kursyesit e dëmtuar të “Eurostandard Bank”: Do t’i mbështesim të gjitha mekanizmat ligjor për të gjetur zgjidhje efektive të kompensimit

Kryeministri Zoran Zaev, i shoqëruar nga zëvendëskryeministri Fatmir Bytyqi, u takuan me përfaqësuesit e Shoqatës së qytetarëve të dëmtuar nga “Eurostandard Banka”.

 

Në takim përfaqësuesit e kursyesve të dëmtuar vunë në dukje problemet me të cilat përballen individët dhe personat juridikë, pas falimentimit të "Eurostandard Bank" dhe ofruan propozime për zgjidhje të mundshme.

 

Kryeministri Zaev i dëgjoi kërkesat e tyre dhe theksoi se Qeveria ka vullnet të fuqishëm t’u ndihmojë qytetarëve të dëmtuar dhe se kjo do të bëhet në përputhje me kornizën ekzistuese ligjore. Ai vuri në dukje se Banka Popullore e Republikës së Maqedonisë së Veriut reagoi në kohë dhe ndërmori gjithçka që është në kompetencën e saj në lidhje me parregullsitë në funksionimin e "Eurostandard Bank".

“Për ne si Qeveri parësor është interesi juaj si qytetarë të dëmtuar, në aspekt për të siguruar kushte kompetente për kompensimin tuaj. Atë që kemi fuqi ta bëjmë, ne do e bëjmë, por duhet ta respektojmë kornizën ligjore. Korniza ligjore dhe rregullat janë të qarta dhe ato nuk parashikojnë që shteti drejtpërdrejtë të përfshihet përmes pagesës nga buxheti. Këtë nuk mund ta lejojmë sepse është kundër ligjeve”, theksoi Kryeministri Zaev në takim.

 

Ai shtoi se janë ngritur kallëzime penale dhe masa tjera që janë në kompetencë të Prokurorisë Publike dhe i siguroi përfaqësuesit e qytetarëve të dëmtuar se propozimet dhe sugjerimet e tyre do të ndiqen nga ana e institucioneve dhe se do të ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për kompensimin e tyre në përputhje me ligjin dhe procedurën e falimentimit.