Vlera e përgjithshme e linjës së tretë kreditore për ndërmarrjet mikro dhe të vogla të prekura nga KOVID-19 – Kovid 3, është 31 milionë euro

Vlera e përgjithshme e linjës kreditore të tretë pa interes me grant komponentë, dedikuar për ndërmarrjet mikro dhe të vogla të prekura nga Kovid-19 (Kovid 3) është 31 milionë euro, prej të cilave 60.000.00 denarë gjegjësisht 1 milion euro janë  nga mjetet e programit P1 nga Ministria e Ekonomisë, ndërsa 30 milionë euro janë nga Bashkimi Evropian.

Ky është rezultat i vendimit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut nga mbledhja e djeshme, në të cilën Qeveria e ngarkoi Ministrinë e Financave të nënshkruajë marrëveshje për administrimin e mjeteve me Bankën për Zhvillim e Maqedonisë së Veriut.

Qeveria e ngarkoi Ministrinë e Financave, në bashkëpunim me Sekretariatin për Çështje Evropiane, të njoftojnë Delegacionin e Bashkimit Evropian në vend, se masa është miratuar nga Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe se Ministria e Financave, Ministria e Ekonomisë dhe Banka për Zhvillim e Maqedonisë së Veriut SHA Shkup ndërmarrin aktivitete për funksionalizimin e masës.

Mjetet financiare për linjë kreditore pa interes me grant komponentë dedikuar për ndërmarrjet mikro dhe të vogla të prekura nga KOVID-19 (Kovid 3) prej 30 milionë euro janë tërhequr nga shpërblimi prej 50 milionë euro për avancimin  e përgjithshëm në procesin e integrimeve evropiane të Maqedonisë së Veriut,  për të cilat  Qeveria me shkresë zyrtare u drejtua deri te Komisioni Evropian se këto mjete do të shfrytëzohen për rimëkëmbjen e vendit nga pasojat e shkaktuar nga pandemia me KOVID-19.