Kryeministri Zaev me përfaqësuesit e Sindikatës së AOGJSH: Dialogu social konstruktiv gjatë 3 viteve të fundit ka përmirësuar dukshëm statusin socio-ekonomik të punëtorëve në administratën shtetërore

 

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev priti një delegacion të Sindikatës së Punëtorëve Administrativë, Organeve Gjyqësore dhe Shoqatave të Qytetarëve (Sindikata e AOGJSH) të udhëhequr nga kryetari Peco Grujovski dhe sekretari i përgjithshëm Trpe Deanovski.
Në takim u theksua se dialogu social me organet e administratës shtetërore është në një nivel të lartë dhe si rezultat i kësaj gjatë tre viteve të fundit janë nënshkruar marrëveshje kolektive në nivel të degës, departamentit dhe marrëveshje kolektive individuale në nivelin e punëdhënësit, me çka dukshëm është përmirësuar pozita socio-ekonomike e punëtorëve në administratën shtetërore. Në këtë drejtim, u theksua se kriza aktuale ekonomike, si pasojë e pandemisë së COVID-19, nuk do të ndikojë në pagat në organet e administratës shtetërore.
Përmes konsultimeve dhe dialogut me sindikatat, për herë të parë është rënë dakord që në Buxhetin e vitit 2021, të sigurohet pagesa e regresit për pushim vjetor në përputhje me Marrëveshjen Kolektive të Degës, gjegjësisht për organet e administratës shtetërore, shërbimet profesionale të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjykatat, prokuroritë publike, institucionet ndëshkimore dhe korrektuese, Avokatura e Shtetit, komunat, Qyteti i Shkupit, komunat në qytetin e Shkupit, agjencitë, fondet dhe organet e tjera të themeluara nga Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Në takimin me përfaqësuesit e Sindikatës së AOGJSH-së u diskutua që Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut do të sugjerojë që pagesa e regresit për pushim vjetor të bëhet në muajt korrik, gusht dhe shtator të vitit 2021, gjegjësisht menjëherë pas përmbushjes së kushtit që punëtori të ketë punuar të paktën gjashtë muaj në vitin kalendarik tek punëdhënësi.