Kryeministri Zaev në bisedë telefonike me Ursula von der Leyen: Raporti i Komisionit Evropian konfirmoi se Maqedonia e Veriut është e përgatitur për konferencën e parë ndërqeveritare për fillimin e bisedimeve me BE-në

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev sot pati bisedë telefonike me Kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.

Në bisedë, ku morën pjesë edhe zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, Kryeministri Zaev shprehu falënderim për pakon për zgjerim edhe për raportin pozitiv të Komisionit Evropian për vendin tonë, me të cilat Brukseli konfirmoi se Maqedonia e Veriut është e gatshme për konferencën e parë ndërqeveritare për fillimin e negociatave me BE-në.

Zaev shtoi se kjo mbështetje ka domethënie shtesë sepse është e shoqëruar me Planin ekonomik dhe investues për vendet nga rajoni, për mbështetjen e procesit për realizimin e standardeve evropiane dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor me aspirata për anëtarësim në BE.

Kryeministri Zaev e njoftoi Kryetaren e KE-së von der Leyen edhe për bisedimet aktuale me Republikën e Bullgarisë dhe i prezantoi pozitat e Maqedonisë së Veriut.

Në këtë kontekst, Kryeministri Zaev u falënderua për angazhimin personal të Kryetares së KE-së, si dhe të gjithë eurokomisarëve, veçanërisht duke potencuar angazhimin në këtë plan të kryesisë gjermane me BE-në, si dhe përkushtimin që të gjendet zgjidhje, e cila do të jetë  sukses për Maqedoninë e Veriut, për Republikën e Bullgarisë, për BE-në dhe për Ballkanin Perëndimor. 

Kryetarja e KE-së Ursula von der Leyen nga ana e saj theksoi se Brukseli pret zgjidhje pozitive si rezultat i realizuar bashkërisht nga të gjitha palët për integrim të suksesshëm të Maqedonisë së Veriut në BE. 

Kryetarja e KE-së shtoi se Maqedonia e Veriut është shembull pozitiv për Ballkanin Perëndimor për reformat e realizuara, për marrëveshjet e arritura me Greqinë dhe Bullgarinë dhe për udhëheqjen në bashkëpunimin rajonal.

Kryeministri Zaev njoftoi edhe për organizimin e suksesshëm si nikoqir i përbashkët i Samitit të Liderëve për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit në Sofje, në të cilin u sollën vendime dhe deklarata për përfitime të veçanta për bashkëpunimin rajonal dhe për zhvillimin ekonomik të vendeve  nga rajoni në përputhje me planet dhe agjendën e BE-së.

Kryetari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut e informoi Kryetaren e KE-së von der Leyen edhe për situatën me COVID-19 në vend dhe u falënderua për mbështetjen e BE-së në ballafaqim me pandeminë.