Zaev: 1.000 amvisëri të reja do të përfshihen në ngrohjen e qytetit me zgjerimin e rrjetit të ujit të ngrohtë në Komunën e Gazi Babës

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe kryetari i Komunës së Gazi Babës, Boris Georgievski kryen inspektimin e disa projekteve që realizohen në këtë komunë.

Siç theksuan në fjalimet e tyre, bashkëpunimi i suksesshëm mes Qeverisë dhe vetëqeverisjes lokale është kyçe që të sigurohen kushte për jetë më të mirë të të gjithë qytetarëve.

Për këtë qëllim, për momentin në komunë realizohet projekti i përbashkët për ndërlidhjen e 1.000 amvisërive nga Hipodrom 1 dhe Hipodrom 2, në rrjetin e qytetit për ujë të ngrohtë. Në këtë mënyrë do të zvogëlohet konsumi i energjisë elektrike i këtyre amvisërive dhe do të ulet ndotja e ajrit në këtë pjesë të qytetit.

Në bashkëngjitje fjalimi integral i Kryeministrit Zaev nga kjo ngjarje:

“Një nga përcaktimet strategjike të Qeverisë së Maqedonisë së Veriut është mbështetja e njësive për vetëqeverisje lokale për pavarësinë e tyre të tërësishme financiare. Me decentralizim maksimal të pushtetit krijojmë kushte për ta siguruar atë që e presin qytetarët nga komunat e tyre: Jetë dinjitoze me të gjitha përfitimet drejtpërdrejtë në bashkësinë e tyre lokale.

 

Këto pritshmëri të qytetarëve në vendbanimin Hipodrom në Komunën e Gazi Babës janë të realizuara në masë të madhe.

Në mandatin e kaluar të Qeverisë, barakat e vjetra të Shkollës Fillore “Vera Jociq” u zëvendësuan me objekt të ri modern për 600 nxënës, me 12 klasa, gjashtë kabinete, hapësirë për mësuesit dhe me bibliotekë.

Bashkë me Komunën kemi ndërtuar një objekt që plotëson të gjitha kushtet dhe standardet për realizimin e procesit arsimor në një mënyrë cilësore.

Një vit më vonë, në kushte të pandemisë me COVID-19 e përfunduam edhe ndërtimin e sallës sportive të shkollës.

Për më shumë se dhjetë vjet, nxënësit nuk kishin një sallë funksionale sportive dhe orët mbaheshin në holin e shkollës. Salla e re është në një sipërfaqe prej 650 m2, e pajisur plotësisht me pajisje sportive dhe rekuizita, tualete, dhoma zhveshjesh me dushe. Objekti është me efikasitet energjetik me qasje për personat me aftësi të kufizuara.

Me sallën e sportit kompletohet funksionaliteti i Shkollës Fillore “Vera Jociq” e cila u përfundua këtë vit në korridoret u dëgjua zëri i fëmijëve, gëzimi i prindërve të tyre dhe të qytetarëve tjerë të Komunës

Këtë vit realizojmë edhe një projekt të përbashkët me interes të posaçëm të banorëve të Gazi Babës, gjegjësisht vendbanimit Hipodrom.

Bashkë me Elektranat e Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht me filialin e tyre “Energetika”, rreth 1.000 familje dhe objekte biznesi do të lidhen me rrjetin e ngrohjes së ujit të ngrohtë në Hipodrom dhe në disa vendbanime të tjera.

Bëhet fjalë për investim në vlerë prej rreth 600 mijë euro i cili do të realizohet në dy-tre vitet e ardhshme.

Me këtë zgjerim të rrjetit të ujit të nxehtë në Gazi Babë, priten përfitime të mëdha për qytetarët, siç janë ulja e konsumit të energjisë elektrike për amvisëritë e kyçura në sistem, ngrohja e qëndrueshme dhe moderne e shtëpive, si dhe zvogëlimi i shkaktuesve të ndotjes së ajrit.

Do të krijohen parakushte edhe për zgjerimin shtesë së rrjetit sekondar për ngrohje të ujit, si dhe mundësi për kyçje të reja dhe përfshirje më të madhe të amvisërive në të ardhmen.

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, e frymëzuar nga projektet me interes të menjëhershëm dhe përfitim për qytetarët, mbetet në angazhimin e saj strategjik për të bashkëpunuar me komunat dhe për të realizuar projekte të tilla dhe të tjera të ngjashme”.