Shpallje për mbështetje financiare të shoqatave dhe fondacioneve

Institucion: 
Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut
Рок на пријавување: 
17.03.2021

Në bazë të nenit 20 paragrafët 1 dhe 2 të Ligjit për Realizimin e Buxhetit të Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2021 ("Gazeta Zyrtare e RMV-së" nr. 307/20), në lidhje me nenin 49 paragrafi 3 të Ligjit për Shoqatat dhe Fondacionet ("Gazeta Zyrtare e RM-së" nr. 52/10, 135/11 dhe 55/16) dhe neni 4 i Kodit të Praktikave të Mira për Mbështetjen Financiare të Shoqatave të Qytetarëve dhe Fondacioneve ("Gazeta Zyrtare e RM-së" nr. .130 / 07), Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut - Sekretariati i Përgjithshëm publikon
 

SHPALLJE
për mbështetje financiare të shoqatave dhe fondacioneve

 

Ndarja e mjeteve nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2021 Seksioni 040.01 - Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, Nën-programi 10 - Administrata, pika 463 – Transferet deri te Organizatat joqeveritare do të bëhen në përputhje me Programin për financimin e aktiviteteve programore të shoqatave dhe fondacioneve për vitin 2021 ("Gazeta Zyrtare e RMV-së" nr. 8/21).

1. Lloji i programeve/projekteve që do të mbështeten

Mjetet nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut me vlerë totale prej 20,000,000.00 denarëve, do të përdoren për financimin e aktiviteteve programore të shoqatave dhe fondacioneve, përmes 20 granteve në vlerë prej 600,000 deri 900,000 denarë, për programe / projekte për 

a) prioritetet:

  • sigurimin e rritjes së përshpejtuar dhe të qëndrueshme ekonomike, standardit më të lartë jetësor dhe cilësisë së jetës së qytetarëve,
  • ballafaqimin me pandeminë globale të shkaktuar nga virusi Korona COVID 19,
  • mbrojtjen e mjedisit jetësor, zhvillim të gjelbër, zvogëlimin e ndotjes së ajrit dhe ndikimin e ndryshimeve klimatike,
  • sundimin e ligjit, pavarësinë e gjyqësorit, luftën e qëndrueshme dhe jo-selektuese  kundër krimit dhe korrupsionit me transparencë të gjerë dhe të detyrueshme,
  • arsim cilësor të disponueshëm për të gjithë në përputhje me kërkesën e tregut të punës,
  • administratë publike moderne dhe efikase të bazuar në digjitalizim që siguron shërbime cilësore dhe të shpejta për qytetarët dhe subjektet afariste, dhe
  • zhvillim të suksesshëm të negociatave të pranimit me Bashkimin Evropian.

b) aktivitetet:

  • ndihmë të drejtpërdrejtë për qytetarët e prekur nga pasojat e pandemisë së shkaktuar nga virusi Korona COVID 19 në realizimin e të drejtave nga masat ekonomike dhe sociale të Qeverisë dhe të drejtat shëndetësore, përmes sigurimit të shërbimeve sociale dhe juridike,
  • mbështetje për tejkalimin e pasojave të pandemisë së shkaktuar nga virusi Korona COVID 19 në sektorë të ndryshëm,
  • funksionim i përgjegjshëm, llogaridhënës dhe transparent i institucioneve, veçanërisht në kushte të pandemisë së shkaktuar nga  virusi Korona COVID 19,
  • informim, promovim dhe avancim i qasjes në shërbimet publike, zbatimin e zgjidhjeve inovative dhe transformuese duke përdorur teknologjitë digjitale,
  • promovim i qasjes ndërdisiplinore, solidaritetit dhe komunitetit, një shoqëri për të gjithë, sigurim të përfaqësimit të drejtë, zhvillim rajonal të barabartë dhe mbështetje në zhvillimin ekonomik lokal.

2. Kornizë kohore dhe mjetet e përgjithshme të parapara / në dispozicion
Do të ndahen grante të njëhershme në vlerë prej 600,000 deri 900,000 denarë, për periudhën e zbatimit të programeve / projekteve deri në fund të vitit 2021.

3. Kriteret themelore organizative

Kriteret themelore organizative që duhet ti plotësojnë shoqatat dhe fondacionet që marrin pjesë në këtë shpallje janë:

  1. Të jenë të regjistruara në përputhje me dispozitat e Ligjit për Shoqatat dhe Fondacionet të paktën një vit para publikimit të shpalljes;
  2. Puna dhe veprimi ta ketë synim publikun e gjerë dhe interesat e komunitetit;
  3. Të mos kenë marrë mjete ose të kenë parashtruar  një kërkesë nga / deri te një organ tjetër i administratës shtetërore ose burime të tjera për të njëjtin qëllim dhe aktivitete për të cilat ata parashtrojnë kërkesë, që do të thotë financim i dyfishtë i aktiviteteve të njëjta nga burime të ndryshme (nuk i referohet kërkesës për kompensim nga pjesa e bashkëfinancimit të projekteve të BE-së nga ana e shfrytëzuesve të fundit).
  4. Vlerësimi i cilësisë së programeve / projekteve

Vlerësimi i cilësisë së programeve / projekteve të shoqatave dhe fondacioneve që i plotësojnë kriteret themelore organizative do të kryhet në bazë të kritereve të posaçme programore:

Fushat Pikat maksimale
1. Kapaciteti organizativ 20
1.1.    Nëse shoqata / fondacioni ka strukturë organizative dhe burime për zbatimin e projektit (të punësuar, vullnetarë aktivë ose persona të angazhuar me kohë të pjesshme, hapësirë për zyre, pajisje teknike dhe aftësi për të menaxhuar buxhetin) 10
1.2.    Nëse shoqata / fondacioni ka përvojë në fushën (qëllimin prioritar) për të cilën aplikon në shpalljen 10
2. Punim dhe bashkëpunim në rrjet 5
2.1     Nëse shoqata / fondacioni është anëtar i rrjeteve dhe platformave të organizatave qytetare (kombëtare dhe ndërkombëtare) dhe në 3 vitet e fundit ka realizuar projekte në bashkëpunim me organizata të tjera ose organe të administratës shtetërore    5
3. Cilësia e projektit 50
3.1.    Sa do të kontribuojë qëllimi i përgjithshëm i projektit në realizimin e qëllimit të dhënë prioritar 10
3.2     Sa është koherent projekti i përgjithshëm dhe a përmban angazhim të qartë për zbatimin e tij 10
3.3     Nëse zbatimi i aktiviteteve shpie në realizimin e rezultateve të parapara në projekt 10
3.4     Nëse plani i zbatimit  është i qartë dhe i realizueshëm 10
3.5     Nëse ekzistojnë indikatorë të përcaktuar qartë për matjen e arritjeve 10
4. Buxheti dhe efikasitet i shpenzimeve 20
4.1     Nëse pasqyrohen aktivitetet në mënyrë adekuate në buxhet 10
4.2     Nëse është adekuate marrëdhënia midis shpenzimeve të parapara dhe rezultateve të pritura 10
5. Pikat për inkurajimin e zhvillimit rajonal të barabartë në përputhje me Vendimin për klasifikimin e rajoneve planifikuese sipas nivelit të zhvillimit për periudhën 2018-2020 5

 

5. Dokumentacioni i nevojshëm që duhet ta dorëzoj shoqata / fondacioni

Shoqatat dhe fondacionet që marrin pjesë në shpalljen duhet të dorëzojnë:

  1. Kërkesë për mbështetje financiare;
  2. Propozim-projekt;
  3. Kopje të gjendjes aktuale nga regjistrimi në regjistrin e personave të tjerë juridik për regjistrimin e shoqatës / fondacionit jo më të vjetër se gjashtë muaj;
  4. Kopje të statutit
  5. Kopje të llogarisë përmbyllëse (bilanci i gjendjes dhe bilanci i suksesit) për vitin 2020 ose deklaratë e dorëzuar në Regjistrin Qendror se në vitin 2020 kanë pasur të ardhura më pak se 2,500 euro në kundërvlerë të denarit sipas kursit të këmbimit të Bankës Kombëtare të Republikës së Maqedonisë së Veriut;
  6. Raport për punën me qëllime, aktivitete, rezultate dhe burime të financimit në vitin 2020.

Formularët Kërkesë për mbështetje financiare dhe Propozim-Projekti janë në dispozicion në ueb-faqen e internetit të Njësisë për Bashkëpunim me Organizatat Jo-Qeveritare: www.nvosorabotka.gov.mk.

Vërejtje:
Shoqatat dhe fondacionet nuk mund të parashtrojnë më shumë se një kërkesë për mbështetje financiare pas shpalljes.
Kërkesat me dokumentacion të pakompletuar ose pas përfundimit të afatit nuk do të merren parasysh.
Bashkëngjitjet e dorëzuara nuk kthehen.

6. Afati dhe mënyra e dorëzimit të kërkesave

Afati i fundit për dorëzimin e kërkesave është 17.3 viti 2021.

Kërkesa me dokumentacionin e plotë, në një zarf të mbyllur të shënuar "Shpallje për mbështetjen financiare të shoqatave dhe fondacioneve" duhet të dorëzohen nëpërmjet postës, në adresën:

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut
Sekretariati i Përgjithshëm
Njësia për Bashkëpunim me Organizatat Jo-Qeveritare
Bul. "Ilinden" nr.2
1000 Shkup

ose personalisht në Njësinë për Bashkëpunim me Organizatat Jo-Qeveritare, në ditët e punës nga ora 8:00 deri në 15:00
Pyetje për sqarim mund të parashtrohen në nvosorabotka@gs.gov.mk deri më 22.2.2021. Përgjigjet do të gjenden në ueb-faqen e Njësisë për Bashkëpunim me Organizatat Jo-Qeveritare www.nvosorabotka.gov.mk.

Shoqatat dhe fondacionet pjesëmarrëse në shpallje do të njoftohen për rezultatet në afat prej 10 ditëve nga dita e miratimit të Vendimit për shpërndarjen e mjeteve nga Buxheti i Republikës së Maqedonisë së Veriut për vitin 2021 të destinuara për financimin e aktiviteteve programore të shoqatave dhe fondacioneve.