Zaev në takimin me Varheji: Evropeizimi është agjenda jonë në rrugën drejt BE-së, ndërsa mbështetja me vaksinat është gjest i madh i solidaritetit evropian

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, e priti Eurokomisarin për fqinjësi politike dhe zgjerim, Oliver Varheji, i cili në kuadër të vizitave ballkanike organizuar me rastin e dërgesës së vaksinave të para kundër COVID-19  si ndihmë nga BE-ja për Ballkanin Perëndimor, arriti në Maqedoninë e Veriut.

Në takim, i cili u përputh me arritjen e sasive të para me 4,850 doza nga gjithsej 119,213 vaksinave të aprovuara “Fajzer”, Kryeministri Zaev shprehu mirënjohje për ndihmën në zgjidhjen e sfidave të paraqitura nga pandemia dhe e vlerësoi këtë gjest si një mesazh të shkëlqyeshëm të solidaritetit evropian.

Kryetari i Qeverisë Zaev, në takim informoi për mënyrën e organizimit të sistemit për imunizim nacional gjithëpërfshirës dhe për rrjedhën e këtij procesi që pritet deri në fund të verës të përfshijë numër të madh të qytetarëve gjatë realizimit të imunitetit kolektiv të COVID-19.

Në takim u diskutua edhe momenti aktual i procesit të integrimit të vendit tonë në BE, gjatë së cilës Kryeministri Zaev theksoi se Maqedonia e Veriut është e gatshme dhe e hapur për të gjetur zgjidhje të përbashkët për sfidën bilaterale me Bullgarinë dhe shprehu pritshmëri që BE-ja të ndihmojë me propozime kreative për zgjidhje.

Në drejtim të përmbushjes së standardeve evropiane në proceset në rrjedhë, Zaev e theksoi përkushtimin e institucioneve, shtetit dhe shoqërisë për reformat evropiane dhe nënvizoi rezultatet që janë veçanërisht të dukshme në fushën e sundimit të së drejtës dhe luftës kundër korrupsionit, ndërsa në sytë e publikut. po ndodhin procese të pakthyeshme të ballafaqimit me krimin e organizuar.

Kryeministri Zaev shprehu falënderim edhe për ndihmën ekonomike prej 160 milionë euro nga BE-ja, që u vendosën në dispozicion Maqedonisë së Veriut për implementimin e politikave për ballafaqim me pasojat shoqërore-ekonomike nga pandemia, me të cilat janë shpëtuar qindra mijëra vende pune dhe janë mbrojtur grupe të ndryshme të ndjeshme, si kontribut i rëndësisë së madhe në rimëkëmbjen e suksesshme ekonomike.

“BE-ja është rruga jonë, evropeizmi është agjenda jonë”, theksoi Kryeministri Zaev në takimin me Eurokomisarin për politikë fqinjësore dhe zgjerim, Oliver Varheji.

Eurokomisari Varheji nga ana e tij vlerësoi se kjo ditë është ditë e madhe që e simbolizon solidaritetin e BE-së me vendet kandidate për anëtarësim nga Ballkani Perëndimor dhe theksoi se për Brukselin është e rëndësishme që kjo mbështetje do ta përforcojë luftën kundër pandemisë. Varheji shtoi se më shumë se 119.000 doza janë siguruar dhe se në BE punojnë në sigurimin e ndihmës shtesë për ballafaqim me krizën me COVID-19.

Lidhur me procesin integrues të vendit tonë për anëtarësim në BE, Varheji potencoi se Komisioni Evropian jep mbështetje të fuqishme në të gjitha përpjekjet për gjetjen e zgjidhjeve të çështjeve të hapura mes Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë me qëllim fillimin e bisedimeve dhe pozitivisht e vlerësoi hapjen dhe gatishmërinë e Republikës së Maqedonisë së Veriut për gjetjen e zgjidhjes.