Agjenda evropiane e Kryeministrit Zaev: Vizita pune në Bruksel, Madrid dhe Athinë, vizita e parë në Mbretërinë e Spanjës në nivel kryeministror

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, fillon agjendën punuese evropiane, e cila përfshin vizita pune në Bruksel, Madrid dhe Athinë.

Në selinë e Bashkimit Evropian në Bruksel, i shoqëruar nga zëvendëskryetari i Qeverisë, i ngarkuar për Çështje Evropiane, Nikolla Dimitrov dhe ministri i Punëve të Jashtme Bujar Osmani, Kryeministri Zaev do të ketë takime pune me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, me kryetarin e Parlamentit Evropian David Sasoli, me nënkryetarin e Komisionit Evropian dhe përfaqësues i lartë i BE-së për politikë të jashtme, Zhozep Borel, me nënkryetarin ekzekutiv të Komisionit Evropian, Frans Timemermans dhe me eurokomisarin për Politikë të Fqinjësisë dhe Zgjerimit, Oliver Varheji.

Gjatë vizitës në Bruksel, kryeministri Zaev do të ketë takim edhe me Augusto Santosh Silva, ministër i Punëve të Jashtme të Portugalisë, vend anëtar dhe kryesues aktual me BE-në.

Kryeministri Zaev, në Bruksel do të takohet edhe me eurodeputetët, Daçian Çolos, kryesues i grupit Europe Renew, Ilhan Quçuk, raportues për Maqedoninë e Veriut dhe me Miroslav Lajçak, përfaqësues i posaçëm i BE-së.

Nga Brukseli, Kryeministri Zaev, së bashku me zëvendëskryeministrin Dimitrov, do të udhëtojnë për në Madrid.

Në kryeqytetin e Mbretërisë së Spanjës, si vizitë e parë në këtë vend në nivel kryeministror, Zaev do të takohet me Kryeministrin spanjol Pedro Sançez dhe me Kryetaren e Senatit Spanjoll, Pilar Llop Kuenka.

Gjatë vizitës në Madrid, ai do të takohet edhe me Antoni Garamendi, kryetar i Konfederatës spanjole të punëdhënësve.

Kryeministri Zaev do ta përfundojë agjendën evropiane me vizitë pune në Athinë dhe me pjesëmarrje në Forumin ekonomik Dellfi, së bashku me zëvendëskryeministrin për Çështje ekonomike Fatmir Bytyqi, me zëvendëskryeministrin për Çështje evropiane, Nikolla Dimitrov, dhe me ministrin e Ekonomisë Kreshnik Bekteshi.

Në Athinë, Zaev do të takohet me kryeministrin e Greqisë, Kirijakos Micotakis.

Në margjinat e Forumit ekonomik Dellfi, Zaev do të ketë takime të ndara me Aleksis Cipras, ish-kryeministër i Greqisë dhe lider i SYRIZA-s, me Toni Bler, ish-kryeministër i Britanisë së Madhe, si dhe me përfaqësues tjerë politik nga skena ndërkombëtare dhe me përfaqësues të kompanive dhe odave ekonomike.