Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, në margjinat e Samitit të NATO-s në Bruksel, realizoi takim me Kryeministrin e Republikës së Sllovenisë, Janez Jansha.
Në takim, ku morën pjesë edhe ministrja e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, Kryeministri Zaev, në emër të tij dhe në emër të Qeverisë dhe të popullit të Maqedonisë së Veriut, shprehu falënderim për mbështetjen e vazhdueshme të Sllovenisë për procesin e eurointegrimit të vendit tonë, e cila edhe njëherë i riafirmua në seancën e fundit të procesit Bërdo-Brioni me deklaratën për rëndësinë e zgjerimit të BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor.
Kryeministri Zaev i vlerësoi si të jashtëzakonshme përpjekjet e presidencës portugeze me Këshillin Evropian dhe propozimin e ofruar për zhbllokimin e procesit të aderimit për vendin tonë dhe theksoi se zgjidhjet e propozuara kanë elementet e nevojshme për të vazhduar dialogun Shkup-Sofje dhe për të mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare me BE-në, si një hap drejt përmbushjes së rekomandimit të pakushtëzuar për fillimin e bisedimeve me Maqedoninë e Veriut.
Në raport me marrëdhëniet dypalëshe, si interes i përbashkët në këtë takim, dy kryeministrat u shprehën të gatshëm të përshpejtojnë përgatitjet edhe për seancën e parë të përbashkët të qeverive të të dyja vendeve, si dhe interesin dhe gatishmërinë e komuniteteve të biznesit në Maqedoninë e Veriut dhe Sllovenisë për bashkëpunim më dinamik.
Në takim bashkëbiseduesit u shprehën të kënaqur që interesi investues i komunitetit të biznesit slloven është i drejtuar në nxitjen e bashkëpunimit në fushën e sistemit bankar, bujqësisë, ambientit jetësor, energjisë, digjitalizimit, turizmit, veçanërisht në përdorimin e ujërave termale, e cila përputhet edhe me interesat e Maqedonisë së Veriut për zhvillim strategjik në këto fusha.