Nga mbledhja solemne e Qeverisë: Marrëveshja Kornizë e Ohrit kontribuoi për kohezionin e shoqërisë si të barabartë për të gjithë qytetarët dhe komunitetet, si dhe për integrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO dhe BE

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot mbajti mbledhje solemne kushtuar 20 vjetorit të Marrëveshjes Kornizë së Ohrit.

Në fjalimin e tij, kryeministri Zaev potencoi se ky përvjetor i rëndësishëm  përputhet edhe me 30 vjetorin e pavarësisë së vendit tonë, me 80 vjetorin e kryengritjes popullore dhe me 20 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes për stabilizim dhe asocim,  si hap i yni i parë në realizimin e qëllimit tonë të përbashkët për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Kryeministri rikujtoi se një nga prioritetet e para në listën e Qeverisë së sapoformuar në vitin 2017 ishte rrumbullakimi i pjesës normative që doli nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit dhe nga Amendamenti 5 nga Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut.

“Qeveria e atëhershme, në të cilën ministra ishin edhe një pjesë më e madhe nga kjo, përbërje aktuale e pushtetit ekzekutiv, e plotësoi detyrimin që pa nevojë zgjatej nga të gjitha Qeveritë e mëparshme dhe e miratoi Ligjin për përdorimin e gjuhëve. Me Ligjin për përdorimin e gjuhëve, si dhe me të gjitha ndryshimet e tjera ligjore dhe akte nënligjore për përfshirje të drejtë, u rrumbullakuan dispozitat e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, e cila u nënshkrua më 13 gusht të vitit 2001 dhe  me të cilën i’u dha fund konfliktit dhe e cila ishte e pranueshme si garanci që të gjitha çështjet me interes të komuniteteve në vendin tonë do të zgjidhen përmes dialogut dhe përmes institucioneve”, theksoi Kryeministri Zaev.

Kryetari i Qeverisë theksoi se Marrëveshja Kornizë e Ohrit i dha fund konfliktit i cili me vete mori edhe viktima dhe e cila parandaloi që atdheu ynë i përbashkët të bëhet vend i konfliktit të vazhduar dhe i një shoqërie pa shpresë për një jetë të qetë.

“Në çaste kur bashkëjetesa dhe toleranca ndëretnike u vendosën në testin më të rëndësishëm, treguam se ne problemet do t’i zgjidhim përmes sistemit institucional dhe assesi ndryshe. Treguam se dëshirojmë në pajtim dhe të bashkuar, për të përparuar të gjithë së bashku E gjithë kjo ishte arritur në partneritet të ngushtë me Bashkimin Evropian, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, NATO-n dhe OSBE-në. Sot kjo është edhe histori e tyre e suksesshme të cilën e shënojmë bashkërisht”, tha Zaev.

Me Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, shtoi Zaev, shteti jonë është më i qëndrueshëm dhe më i sigurt, me tolerancë të garantuar ndëretnike dhe kohezion më të fuqishëm social. Bashkërisht zhvillohemi si shtet në të cilën mundësitë për mirëqenie janë të barabarta për të gjithë, si anëtare e NATO-s dhe anëtare e ardhshme e BE-së.

“U përcaktuam për politika të cilat e ndërtojnë Republikën e Maqedonisë së Veriut si shtet qytetar i të gjithëve që jetojnë në të: maqedonas, shqiptarë, turq, serb, vlleh, romë, boshnjakë dhe të gjitha komunitetet e tjera. Pranuam që maqedonasit, si popull shumicë në vendin tonë, kanë përgjegjësi të krijojnë politika dhe atmosferë për ruajtjen, mbrojtjen dhe avancimin, afirmimin dhe mbështetjen e përdorimit të të gjitha gjuhëve të tjera të pjesëtarëve që jetojnë në vendin tonë”, potencoi kryeministri Zaev.

Përcaktimi ynë është që të ndërtojmë dhe të ruajmë shoqërinë në mënyrë të barabartë për të gjithë, qëllimi ynë është që të ndërtojmë një shoqëri civile, njëkohësisht me respekt ndaj dallimeve sociale, etnike, nacionale, fetare dhe kulturore – është veçantia dhe thelbi i bashkësisë sonë.

Kjo bashkësi që u ndërtua me shekuj, për ne paraqet detyrim për ardhmërinë tonë të përbashkët.
Zëvendëskryetari i parë dhe ministër për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi, në fjalimin e tij theksoi se shënojmë përvjetorin e një dokumenti të rëndësishëm i cili solli paqe, ndryshoi Kushtetutën dhe shoqërinë dhe hapi perspektivat euroatlantike.

Zëvendëskryeministri i parë Grubi informoi se në organizim të Qeverisë në këtë mbledhje solemne fillojnë një sërë ngjarjesh me të cilat do të shënohet 20 vjetori i Marrëvehshjes Kornizë të Ohrit “Përtej Ohrit”.

Pas një sërë aktivitetesh në disa qytete në të cilat do të kyçen më shumë institucione, ngjarja qendrore do të mbahet më 13 gusht, në ditën kur u nënshkrua Marrëveshja Kornizë e Ohrit.

Në këtë ngjarje, të organizuar në bashkëpunim me Universitetin Kolumbia nga Nju Jorku, u konfirmua pjesëmarrja e kreut shtetëror, por edhe e miqve nga bashkësia ndërkombëtare, dhe protagonistët që morën pjesë në procesin e realizimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, Piter Fejt, Dejvid Slin, Robert Seri, Brenda Pirson, Poll Viliams, Dejvid Filips dhe të tjerë.

Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi, informoi se në bashkëpunim me këshilltarë të angazhuar nga BE-ja, që punojnë në riorganizimin e administratës shtetërore, është përpiluar Propozim-ligj për punën e Ministrisë për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, i cili do të jetë ndërtuar në një ministri të vogël efektive që do të kujdeset për të drejtat e të gjitha bashkësive, jo vetëm etnike, por edhe të të gjitha përkatësive të mundshme.

Me propozim të zëvendëskryeministrit të parë Artan Grubi, Qeveria në këtë mbledhje solemne i miratoi konkluzionet sipas të cilave Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut konstaton se pjesa normative e Marrëveshjes Kornizë të Ohrit u miratua nga ana e institucioneve të Maqedonisë së Veriut dhe zbatimi i dispozitave ligjore është  proces ditor i vazhdueshëm i cili zhvillohet pandërprerë.

Konkluzioni nga mbledhja e Qeverisë është se Marrëveshja Kornizë e Ohrit kontribuoi drejt rritjes së shoqërisë kohezive, të barabartë dhe një shoqëri për të gjithë qytetarët dhe bashkësitë, si dhe për integrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO dhe BE.

Në këtë mbledhje Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut e shqyrtoi dhe e miratoi Programin për shënimin e manifestimit për 20 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë së Ohrit.