Rrethim afarist i parashikueshëm

Me fillimin e negociatave, do të harmonizojmë rrethimin afarist me rregulloret e BE -së. Do të garantojmë parashikueshmëri në pjesën e politikës tatimore. Tatimi mbi fitimin mbetet në nivel prej 10% gjatë tërë periudhës 20-24, kurse parashikojmë lirim nga ky tatim gjatë riinvestimit të fitimit në vitin 2021 si përgjigje të ndikimit të pandemisë KOVID. Tatimi mbi të ardhurat personale ulet në 0% në vitin 2023 për industrinë e IT-së edhe atë në shkallë 5% në 2021, 3% në 2022 dhe 0% në 2023. Tatimi mbi të ardhurat personale mbetet në 10%, por mbetemi konsekuent në futjen e taksimit progresiv përmes procesit gjithëpërfshirës të bisedimeve dhe krijimin e konsensusit për futjen e të njëjtit. Gjithashtu, do të hapet procesi i  bisedimeve për sistemin tatimor në pikëpamje të raportit midis taksave direkte dhe indirekte, përkatësisht për korrelacion e tatimit në pronë, të ardhurave dhe konsumit sipas shembullit të vendeve të zhvilluara dhe specifikave të ekonomisë sonë. Mbetemi të përkushtuar ndaj drejtësisë në tatim, me ofrimin e sistemit të menduar të tatimit progresiv të të ardhurave të përgjithshme personale, pas një analize serioze dhe të detajuar dhe debatit publik, me fokus në rikonfigurimin e konceptit të të ardhurave personale (të ardhurat e familjes) dhe futjen e tatimit të luksit.
Qeveria parasheh rikonfigurim të TVSH-së përmes:

  • Futjes së Ligjit të ri për Tatimin mbi Vlerën e Shtuar, përmes së cilit do të sigurohen përfitime tatimore për ndërmarrjet që janë të orientuara drejt eksportit në mënyrë të tillë që ata të mos paguajnë TVSH për lëndët e para dhe makinat e destinuara për eksport. Në këtë mënyrë ata do të jenë më konkurrues dhe do të kenë mjete financiare dukshëm më të larta;
  • Normës së vetme prej 10% TVSH për të gjitha shërbimet e restoranteve;
  • Rishikimit të normave të  tatimit të vlerës së shtuar për lëndët e para për prodhuesit vendas dhe uljes së normës së TVSH-së për prodhuesit bujqësorë dhe uljes së normës së TVSH-së për lëndët e para për kompanitë e orientuara për eksport
  • Uljes prej 18 në 5% për shërbimet artizanale;
  • Ngritjes së pragut për pagesën e TVSH -së nga 2 milionë në 3 milionë qarkullim vjetor nga 01.01.2022 dhe barazimit me pragun e lirimit nga tatimi mbi fitimin deri në 3 milionë denarë qarkullim vjetor.

Qeveria do të vazhdojë Projektin e suksesshëm "TVSH -ja ime" dhe do të rrisëlimitin për individ në 2300 denarë për një tremujor dhe 9200 denarë në vit, gjegjësisht në 36800 denarë për një familje mesatare prej katër vetësh.

Qeveria do të vazhdojë me kthimin në kohë, e rregullt dhe jo selektiv të TVSH-së për personat juridik.

Me Ligjin e ri për Tarifat Doganore dhe përshtatje të përshpejtuar (heqje dhe eliminim dhe ulje të tarifave doganore) në korrelacion me tarifat doganore në Tarifat e Përbashkëta Doganore të Bashkimit Evropian, Qeveria do të sigurojë çmime më të ulëta për kompanitë vendase për lëndët e para dhe repromaterialet, duke i bërë kompanitë më konkurruese për eksport.

Qeveria do të krijojë kushte për vetë-rregullim të qëndrueshëm në sektorin e kontabilitetit dhe revizion të sektorit të korporatave, zbatimin e plotë të Standardeve Ndërkombëtare të Kontabilitetit për sektorin e NVM-së deri në vitin 2023 dhe përsosjen dhe përmirësimin e sistemit të kontabilitetit dhe revizionin në sektorin e përgjithshëm publik.

Qeveria do të fus tatim të ri të qarkullimit për pagesën e lojërave të fatit - në shumë prej 4% të vlerës së paguar bruto. Të njëjtin do ta paguajnë organizatorët e lojërave të fatit dhe nuk do të transferohet te përdoruesit. Këto mjete do të përdoren për të mbështetur rritjen, zhvillimin dhe përgjegjësinë sociale. Njëkohësisht, Qeveria do të propozojë ligj që ndalon hapjen e kazinove dhe lojërave të fatit pranë shkollave, kopshteve dhe ndërtesave fetare.