Zëvendëskryeministri Bytyqi në “Forumin energjetik të Evropës Juglindore”: Maqedonia e Veriut bëhet një qendër energjetike në Ballkanin Perëndimor

Dua të falënderoj organizatorët: Odën Tregtare Amerikano-Greke (AMCHAM Greqi) dhe Asociacionin e Ekonomisë së Energjisë të Greqisë, si dhe bashkëorganizatorët e këtij forumi të rëndësishëm, Ambasadën e SHBA-së dhe Këshillin Atlantik, për ftesën dhe mundësinë për të qenë pjesë e këtij paneli ku do të flasim për rëndësinë e lidhjes energjetike të vendeve në rajonin tonë.

Vitet e fundit, ne kemi vendosur politikat energjetike në Republikën e Maqedonisë së Veriut në një bazë të qëndrueshme. Ato garantojnë një furnizim të sigurt dhe stabil të energjisë, por edhe diversifikim të furnizimit, të cilat bazohen në energjinë e pastër të gjelbër dhe të cilat do të mundësojnë rritje të qëndrueshme të ekonomisë së vendit tonë.

Ligji ynë i ri për energjetikë është plotësisht në përputhje me rregulloret e BE-së, si dhe me Komunitetin e energjetikës, dhe mundëson zbatimin e Strategjisë së re të zhvillimit të energjetikës deri në vitin 2040 dhe Planit kombëtar të klimës dhe energjisë, i cili është në pritje të miratimit. Për këto aktivitete, Komuniteti i energjetikës vlerësoi përpjekjet dhe angazhimin tonë për gjithçka që kemi bërë në sektorin energjetik, pasi ne jemi vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që e bëjmë këtë. 

Duke pasur parasysh situatën aktuale me COVID-19 dhe efektin e tij në ekonominë botërore, ne kemi bërë një hap më tej dhe kemi harmonizuar të gjitha planet që janë krijuar për zbatimin e këtyre dokumenteve me procesin e rimëkëmbjes ekonomike të COVID-19 dhe Marrëveshjes së gjelbër evropiane.

Sot, në suaza të këtij forumi, u nënshkrua marrëveshja midis kompanive kombëtare të transmetimit të gazit në Maqedoninë e Veriut (NER) dhe Greqisë (DESFA), e cila përcakton kushtet për bashkëpunim dhe kornizën kohore për ndërtimin e një ndërlidhësi gazi midis dy vendeve. Është një nga projektet tona kryesore. Ndërtimi i këtij ndërlidhësi për gazin e lëngshëm do të hapë shumë mundësi për vendin tonë, me të cilin do të kemi një shans të pozicionohemi si një qendër rajonale për furnizimin me gaz të vendeve të rajonit të Evropës Juglindore, kurse eknomisë sonë do t’i sigurojmë një burim të diversifikuar gazi dhe do ta nxisim kokurrentshmërinë.

Përveç investimeve në ndërlidhësin me Greqinë, ne planifikojmë të lidhemi me Kosovën, Serbinë dhe Shqipërinë. Kjo do të hapë horizontin për përmirësimin e bashkëpunimit rajonal dhe konkurrentshmërinë në tregun e përbashkët rajonal.

Konkurrentshmëria e Evropës Juglindore me investime në ndërlidhës po përmirësohet, dhe ato janë shumë të rëndësishme për të ardhmen, për transferimin e hidrogjenit si një burim i ardhshëm energjie.

Në këtë mënyrë, ne të gjithë së bashku tregojmë se investimi sot në një furnizim më të sigurt, më konkurrues, më të lirë dhe miqësor të energjisë do të thotë investim në të ardhmen tonë. Si një vend i vetëdijshëm për këtë, ne jemi plotësisht të përkushtuar dhe të sigurt se qëllimet e përcaktuara në kontributet kombëtare të miratuara së fundmi do të përmbushen plotësisht siç ishte planifikuar. Në të gjithë sektorët deri në vitin 2030 ne planifikojmë të zvogëlojmë 51% të emetimeve të gazrave serrë, krahasuar me nivelet e 1990.

Përveç këtij ndërlidhësi gazi me Republikën e Greqisë, tashmë kemi nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi për ndërtimin e terminalit të gazit në Aleksandropoli, ku Maqedonia e Veriut do të posedojë 10% të aksioneve të terminalit. Ne gjithashtu po marrim pjesë në ndërtimin e termocentralit të gazit pranë Aleksandropolit, ku pjesa e Maqedonisë së Veriut është 25%. Kemi dëshmuar se është e mundur të bashkëpunojmë, se nuk ka asnjë pengesë të pakapërcyeshme, përmes dialogut, respektit reciprok, mirëkuptimit dhe bashkëpunimit, çdo sfidë ka një zgjidhje, siç dëshmohet nga këto projekte strategjike që janë të rëndësishme për të gjithë rajonin dhe mbështeten nga partnerët tanë në BE dhe NATO.

Me këtë rast do të doja të përmendja një përpjekje të përbashkët shtesë që tregon qasjen vizionare të Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Greqisë ku pozicionet gjeopolitike përdoren me mençuri për të rritur konkurrentshmërinë dhe mirëqenien ekonomike të qytetarëve në të dy vendet. Para ca kohe u pajtuam që në tremujorin e parë të vitit 2022 të krijohet tubacioni i gazit për shpërndarjen e naftës së rafinuar midis Selanikut dhe Shkupit.

E gjithë kjo, për sa i përket investimeve për ne si vend, është rezultat i Strategjisë sonë për zhvillimin e energjetikës deri në vitin 2040. Përkushtimi ynë ndaj Agjendës së Gjelbër parasheh zbatimin e programit “Tranzicion i drejtë”, i cili parasheh një kalim nga prodhimi i energjisë nga burimet konvencionale duke përdorur lëndë djegëse fosile në prodhimin e energjisë nga burimet e rinovueshme.

Planifikimi afatmesëm dhe afatgjatë i projekteve kryesore të investimeve në vend nuk janë thjesht një frazë, as një detyrim teknik për të kontrolluar disa nga detyrimet që ne si Qeveri i kemi ndërmarrë, përkundrazi ne jemi vërtet të përkushtuar për zbatimin e planeve të skicuara, kurse nënshkrimi i memorandumit të sotëm është vetëm një dëshmi se angazhimi ynë rezulton me projekte konkrete.

Kur flasim për planifikim afatmesëm dhe afatgjatë, këtë vit Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut miratoi një dokument të rëndësishëm, bëhet fjalë për Planin Ndërhyrës të Investimeve (PNI), i cili në periudhën afatmesme, deri në vitin 2027, parasheh realizimin e investimeve me vlerë prej 8,2 miliardë euro.

Në totalin e investimeve, vëllimin më të madh e zënë projektet e energjisë, të parashikuara në nivelin prej 3,1 miliardë euro, gjë që dëshmon fokusin tonë në kalimin në energjinë e gjelbër, pasuar nga 2,7 miliardë euro për infrastrukturën rrugore dhe hekurudhore, që është më shumë një dëshmi se ne jemi të përkushtuar për ndërtimin e marrëdhënieve me fqinjët tanë dhe sigurimin e kushteve për konkurrencë më të madhe në Maqedoninë e Veriut, por edhe në mbarë rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Ne i bëjmë të gjitha këto duke pasur parasysh të ardhmen tonë, por duhet të kemi parasysh se politika më e mirë e energjetikës nuk është ajo që përfiton më shumë sipas rekomandimeve të politikës akademike në të ardhmen e largët. Kjo është energjia që u vjen njerëzve dhe plotëson nevojat e tyre tani: e pastër, e arritshme dhe jep komoditetin që e meritojnë qytetarët.

Prandaj, miqtë e mi, kolegë, le të vazhdojmë nga këtu me të gjitha përpjekjet tona të përbashkëta për të krijuar një mjedis më të mirë dhe më të sigurt për qytetarët tanë.