Pjesëmarrja masive në regjistrim është një konfirmim se qytetarët janë të vetëdijshëm për rëndësinë për të mbledhur të dhënat që janë të rëndësishme për krijimin e një ardhmërie të përbashkët

Zëdhënësi i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dushko Arsovski dhe drejtori i Entit Shtetëror për Statistikë, Apostoll Simovski sot mbajtën konferencë të përbashkët për shtyp ku informuan për aktivitetet lidhur me Regjistrimin e popullsisë, amvisërive dhe banesave në Republikën e Maqedonisë së Veriut në vitin 2021.

Zëdhënësi Arsovski informoi se përfshirë ditën e djeshme deri në orën 20:00, janë regjistruar  512.457 qytetarë, gjithsej 158.519 amvisëri dhe 212.464 banesa.

“Qeveria falënderohet për mbështetjen që qytetarët e japin për zbatimin e suksesshëm të regjistrimit. Pjesëmarrja masive tregon për vetëdijen dhe përgjegjësinë e secilit prej ne për të kontribuar ë mbledhjen e të dhënave të rëndësishme për krijimin e ardhmërisë së përbashkët. Në bazë të të dhënave të grumbulluara, do të miratohen vendime dhe në mënyrë precize do të planifikohet zhvillimi i vendit”, theksoi zëdhënësi Arsovski.

Ai theksoi se Qeveria pret që regjistrimi të vazhdojë me dinamikën e paraparë dhe të gjitha aktivitetet të përfundojnë me sukses deri më 30 shtator.

Drejtori i ESHS-së Simovski theksoi se regjistrimi po zhvillohet me intensitetin e dëshiruar, pa pengesa dhe probleme.

"Do të më lejoni të falënderoj të gjithë qytetarët për pjesëmarrjen masive në operacionin tonë dhe janë ndihma jonë më e madhe dhe më e vlefshme në realizimin e së njëjtit", tha drejtori Simovski. Ai i kumtoi të dhënat e regjistrimit të popullsisë për ditën e djeshme në të cilën ishin regjistruar 93.235 persona, 29.491 amvisëri dhe 40.155 banesa.

Simovski theksoi se bëhet fjalë për rezultate të shkëlqyera, nëse merret parasysh se dita e djeshme ishte ditë pune, në krahasim me ditët e fundjavës kur pritet që ato numra të jenë edhe më të larta.

Ai theksoi se është jashtëzakonisht i kënaqur me ritmin me të cilën po realizohet regjistrimi, si dhe me punën e regjistruesve, duke theksuar se me këtë ritëm regjistrimi do të kryhet me sukses brenda afatit të përcaktuar.

Drejtori Simovski theksoi se sfida të vogla teknike që kanë ekzistuar në fillimin e realizimit të këtij operacioni statistikor janë tejkaluar dhe se tashmë disa ditë po realizohet regjistrimi pa probleme dhe me intensitet të mirë.

Duke u përgjigjur në pyetjen gazetareske, drejtori i ESHS-së Simovski theksoi se numri i refuzimeve është jashtëzakonisht i vogël dhe i  parëndësishëm, pavarësisht fushatës negative që ka pasur dhe ka ende gjatë gjithë kohës që synohet të pengojë realizimin e regjistrimit.

“Qytetarët nuk i nënshtrohen kësaj propagande dhe vetë të dhënat thonë se nuk ka nevojë të kërkojmë mënyra të tjera për të thënë se qytetarët janë vërtet të përfshirë në mënyrë aktive. Unë mendoj se vetë të dhënat për personat e regjistruar tregojnë gjithçka", tha Simovski.

Ai theksoi se edhe aty ku ka refuzim në fillim, shkohet përsëri dhe bisedohet me ata persona.

“Shkon instruktori ynë shtetëror, shkon komisioni i regjistrimit dhe deri më tani praktika tregon se personat e kuptojnë rëndësinë e procesit dhe në fund regjistrohen. Nuk zbatojmë sanksione akoma dhe shpresojmë se kjo nuk do të ndodh deri në fund të regjistrimit, gjegjësisht do të arrijmë që t’i bindim këta persona se ajo propagandë kundër realizimit të regjistrimit në thelb është sistem i deziformatave”, theksoi Simovski.

Lidhur me regjistrimin e amvisërive, drejtori Simovski theksoi se nuk mund të pritet që të gjithë anëtarët të jenë në shtëpi, megjithatë regjistrim pa dokument nuk mund të realizohet, gjegjësisht çelësi për çdo person që regjistrohet është numri amë.

Ai theksoi se pa dokument askush nuk mund të regjistrohet, ndërsa aty ku mungon ndonjë anëtar i familjes, dakordohet termini se kur ky person do të jetë prezent.