Nga mbledhja e 106-të e Qeverisë: Termocentral elektrik diellor dhe park i erës janë dy investime të reja strategjike në energjetikë; Miratohet financim i elektranave fotovoltaike “Osllome” dhe “Bitolla” përmes BERZH-it

Qeveria e Republikës së Maqedonisë së Veriut, në mbledhjen e rregullt të 106-të, me propozim të Komisionit për investime në projekte strategjike, me vendime të veçanta i përcaktoi si strategjike projektet investuese të Shoqatës për prodhimin e energjisë EFT “Solar” SHPKNJP Shkup dhe të Shoqatës për prodhim, tregti dhe shërbime “Park i Erës Virovi” SHPKNJP Shkup.

Sipas mendimit të Komisionit për projekte strategjike investuese, projekti i EFT “Solar” për “Termocentral elektrik diellor Erxhelia” dhe projekti i Parkut të erës Virovi për “Elektranë me erë Virovi” i plotësojnë kushtet për nxjerrjen e garancisë bankare e cila u nevojitet për mbyllje të plotë të procedurës për investime strategjike të konfirmuar me ligj.

Qeveria e miratoi edhe tekstin e Propozim-ligjit për garanci të Republikës së Maqedonisë së Veriut për detyrimet pas Marrëveshjes për huamarrje për financimin e projektit të Shoqatës aksionare për prodhimin e energjisë elektrike “Elektranat e Maqedonisë së Veriut” në pronësi shtetërore (ESM) për tranzicion në fotovoltaik diellor, që do të realizohet me Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Qëllimi i projektit është që t’i ndihmohet vendit në arritjen e normave evropiane për emetimin e gazeve serë dhe qëllime ekologjike dhe angazhime të Republikës së Maqedonisë së Veriut. I njëjti do të ketë ndikim pozitiv në ambientin jetësor, sepse me lëshimin në përdorim të elektranave fotovoltaike EF “Osllome 2”, me fuqi prej 10 MW dhe FE “Bitola” me fuqi prej 20 MW, do të ulet prodhimi i energjisë elektrike nga termocentrale, gjë që nuk do të ketë ndikim të dëmshëm në ambientin jetësor.

Ky investim do të kontribuojë për punësime të reja, që pozitivisht do të ndikojë në aspektin social në këto dy rajone, ku planifikohet ndërtimi i dy elektranave fotovoltaike.  

Vlera e përgjithshme e projektit është 25 milionë euro. Projekti planifikohet të financohet me huamarrje nga BERZH dhe me grant investimi nga BE-ja nga Fondi për Investime për Ballkanin Perëndimor prej 5 milionë euro.

Në këtë mbledhje është miratuar edhe teksti i Propozim-ligjit për garanci të Republikës së Maqedonisë së Veriut të detyrimeve pas Marrëveshjes për huamarrje për financim të Korridorit rrugor VIII – faza I e projektit, që do të  realizohet mes Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) dhe Ndërmarrjes Publike për Rrugë Shtetërore.

Qëllimi i projektit është të përmirësohet infrastruktura rrugore në vend , gjegjësisht ndërtimi i një pjese nga Korridori Evropian 8 në nivel të autostradës, gjë që në mënyrë të konsiderueshme do të përmirësojë lëvizshmërinë dhe shkëmbimin tregtar, do të përmirësojë sigurinë e rrugës, do të shkurtojë kohëzgjatjen e udhëtimit, do të rriten mundësitë për zhvillim shoqëror-ekonomik, si në nivel nacional edhe në nivel rajonal.

Rrjedhimisht, Ndërmarrja Publike për Rrugët Shtetërore dhe BERZH-i do të lidhin një Marrëveshje për huamarrje, ndërsa Republika e Maqedonisë së Veriut, e përfaqësuar nga Ministria e Financave dhe BERZH, do të lidhin një Marrëveshje për garanci, për sigurimin e fondeve në vlerë deri në 110 milionë euro.

Në këtë mbledhje Qeveria e miratoi informacionin për krijimin dhe zbatimin e sistemit kompetent informues për digjitalizimin e sektorit turistik-hotelierik sektori e-turizëm.

Sipas Agjencisë për Promovimin dhe Mbështetjen e Turizmit, qëllimi i këtij sistemi informues për digjitalizimin e një pjese të shërbimeve në këtë sektor është krijimi i veglës nacionale digjitale për grumbullimin e të dhënave ofruesve të shërbimeve për akomodim dhe objekteve të tyre akomoduese në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, si dhe regjistrimin dhe çregjistrimin e turistëve nga ana e ofruesve të shërbimeve të akomodimit nëpërmjet internetit.

Në mënyrë plotësuese, platforma e-turizëm do të ofrojë mundësi për të përcaktuar dhe kontrolluar tatimet në bazë të regjistrimit dhe çregjistrimit të turistëve dhe të dhënave për objektet individuale të akomodimit, si dhe raportimin e të dhënave statistikore në kohë reale në baza ditore ose me një interval jo më shumë se 24 orë.

Në këtë mbledhje, Qeveria solli vendim që mësimi në shkollat e mesme në Tetovë dhe Gostivar të vazhdojë të realizohet online deri më 20 shtator, në vend që deri më 14 shtator siç ishte planifikuar me vendim të mëparshëm.

Qeveria miratoi pakon e marrëveshjeve dhe memorandumeve për bashkëpunim me Republikën e Kosovës, të cilat janë planifikuar të nënshkruhen në një mbledhje të përbashkët të dy qeverive që do të mbahet në Shkup më 16 shtator.