Nga konferenca për shtyp e zëdhënësve të Qeverisë: Janë regjistruar 1.768.710 qytetarë, ata që nuk kanë realizuar kontakt me regjistruesit të paraqiten në pikat për regjistrim në komunat

Zëdhënësit e Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dushko Arsovski dhe Muamet Hoxha, në konferencën e sotme të rregullt për shtyp informuan për konkluzionet dhe vendimet e miratuara në mbledhjen e fundit të 108-të të Qeverisë dhe u përgjigjën në pyetjet në interes të opinionit.

Ata kumtuan se Qeveria në mbledhjen e djeshme e shqyrtoi dhe e miratoi informacionin për nevojën për nënshkrimin e Marrëveshjes për Grant për partneritet  për zhvillim mes Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Me këtë Marrëveshje parashihet që SHBA-të  të rrisin vlerën e grantit për partneritet me Maqedoninë e Veriut prej 8,2 milionë në 56,6 milionë dollarë, ndërsa Marrëveshjen do ta nënshkruajë ministri i Financave, Fatmir Besimi.  

Këto fonde USAID-i do t’i ndajë gjatë 5 viteve të ardhshme për projekte për përforcimin e konkurrencës ekonomike, për  rritjen e kontributit të të rinjve në shoqëri dhe për projekte dhe programe për zvogëlimin e korrupsionit.

Në këtë mbledhje zëdhënësit informuan se Qeveria e miratoi procedurën meritore për përzgjedhjen dhe emërimin e anëtarëve të këshillave drejtues dhe mbikëqyrës në institucionet publike, gjegjësisht vendosjen e transparencës në procedurën për aplikim dhe përzgjedhje, si dhe zvogëlimi i numrit të anëtarëve të institucioneve publike drejtuese dhe mbikëqyrëse.
Propozim-ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për institucione do të dorëzohet në Kuvend për procedurë të mëtejshme.

Ata kumtuan se në mbledhjen e djeshme Qeveria dha dritë jeshile për sigurimin e WiFi falas nacional në hapësira publike.
Në kuadër të këtij informacioni institucionet kompetente janë të detyruar të dorëzojnë propozim-Listë të lokacioneve për sigurimin e WiFi falas shtetëror për të gjithë territorin e vendit.
Në konferencën për shtyp zëdhënësit i kumtuan edhe të dhënat e fundit lidhur me Regjistrimin, ku sipas Entit Shtetëror të Statistikës deri mbrëmë në orën 20:00 janë regjistruar 1.768.710 qytetarë, 548.694 amvisëri dhe 795.494 banesa. Nga diaspora deri në mëngjesin e sotëm janë vetë-regjistruar 201.247 persona.
 
“Apelojmë deri te të gjithë qytetarët që për çfarëdo arsye deri më tani nuk kanë arritur të kenë kontakte me regjistruesit, por edhe ata qytetarë që nuk do të jenë në shtëpi në këto dy ditë, të përmbushin detyrimin e tyre ligjor në pikat e regjistrimit në komunat e tyre.

Regjistrimi është operacion shumë i rëndësishëm për shtetin, që të mund të bëhen strategji për zhvillim. Pjesëmarrja në regjistrim është mundësi për secilin qytetar që vetë të kontribuojë në krijimin e ardhmërisë së vet dhe të përbashkët”, theksuan zëdhënësit e Qeverisë.

Në pyetjen gazetareske nëse do të nevojitet kohë shtesë për regjistrimin e popullsisë, ata theksuan se kjo nuk u diskutua në mbledhjen e djeshme të Qeverisë dhe se të gjitha kapacitetet synojnë përfundimin e operacionit brenda afatit ligjor, gjegjësisht deri nesër në mbrëmje.

“Sigurisht fjalën e fundit do ta ketë Enti Shtetëror i Statistikës. Informacionet nga atje janë se më pak se dy ditë para përfundimit të regjistrimit në terren në të gjithë vendin, bëhen kontrolle përfundimtare për lëshime eventuale dhe qarqet e regjistrimit tashmë po mbyllen, në Shkup ku ka koncentrim më të lartë të popullsisë dhe të gjitha kapacitetet e regjistrimit në dispozicion janë në terren dhe vizitojnë familjet që nuk janë vizituar deri më tani. Ky aktivitet do të zbatohet deri në fund të regjistrimit, domethënë deri nesër, e enjte deri në orën 20:00", theksuan zëdhënësit.

Në pyetjen gazetareske për procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian me vendet e Ballkanit Perëndimor, zëdhënësit e Qeverisë theksuan se Kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lajen, gjatë vizitës së djeshme të punës në Shkup ishte precize se ardhmëria e Maqedonisë së Veriut është në BE.

“Fon der Lajen nga Shkupi dërgoi mesazh për mbështetje të fuqishme, shprehu mirënjohje për përparimin e arritur në reforma dhe tha se është angazhuar në atë që deri në fund të këtij viti Maqedonia e Veriut t’i fillojë bisedimet për anëtarësim. Me gjithçka që arritëm, Qeveria konsideron se kjo është plotësisht e merituar dhe se ky do të jetë konfirmimi më i mirë se politika e zgjerimit të Unionit nuk është vetëm deklarative”, thanë zëdhënësit.