Zaev dhe Carovska: Vazhdojmë me politika për arsim të lartë bashkëkohor dhe të qasshëm me bursa 80% më të larta për mbështetje të standardit studentor

Kryeministri Zoran Zaev dhe ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla  Carovska, sot mbajtën fjalim para studentëve dhe profesorëve të Fakultetit Natyror-Matematik në Shkup, me rastin e vitit të ri akademik në orën e parë akademike dhe ju uruan vit të suksesshëm akademik dhe motivim të lartë në realizimin e sukseseve akademike.

Në ngjarje morën pjesë ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska, rektori i Universitetit “Shën Kirili dhe Metodi”, prof.dr. Nikolla Jankullovski dhe dekani i Fakultetit Natyror – Matematikor, prof.dr. Aleksandar Skeparovski.

Në këtë rast, Kryeministri Zoran Zaev theksoi se Qeveria dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës mbeten të përkushtuara në ndërtimin e arsimit të lartë cilësor dhe vazhdojnë me krijimin e programeve dhe politikave për mbështetjen e standardit studentor dhe për kushte bashkëkohore për mësim, si dhe zbatimin e projekteve shkencore-hulumtuese në institucionet e fakultetit.

“Dukshëm e ndryshuam politikën për ndarjen e bursave për studentët, me qëllim që t’u ndihmojë sa më shumë të rinjve, me vlera më të larta mujore me të cilat studentët me të vërtetë do ta ndjejnë mbështetjen të cilën shteti ua siguron gjatë procesit arsimor. Kështu, për një pjesë të madhe të kategorive të bursave studentore, vlerat mujore janë rritur, diku edhe për mbi 80%. Ju ftoj t’i pranoni këto mundësi të cilat në masë të madhe do t’ua lehtësojnë studimin”, theksoi Kryeministri Zaev.

Ai theksoi se nga ky vit filloi edhe mbështetja e studentëve me vaktin studentor të subvencionuar.

Studentëve të Fakultetit Natyror – matematikor në Shkup, Kryeministri Zora Zaev ju tha se me zgjedhjen e tyre akademike kanë bërë hap drejt arsimit cilësor dhe të vlerësuar në aspekt ndërkombëtar,  në institucion të arsimit të lartë që është pjesë e rrjetit evropian akademik “Erazmus”.

Kryeministri ju uroi një vit të suksesshëm akademik studentëve dhe profesorëve në të gjitha fakultetet në vend dhe theksoi se është veçanërisht e rëndësishme që me fillimin e këtij viti akademik, mësimi dhe aktivitetet tjera po kthehen në amfiteatrot, kabinetet dhe laboratorët në kampuset e studentëve me respektim të protokolleve për organizimin dhe realizimin e mësimit dhe aktiviteteve të tjera në kushte pandemie.

 Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Milla Carovska, studentëve ju uroi një vit të suksesshëm akademik dhe studim të përkushtuar që do t’i përgatisë për sfidat që i presin më tutje në jetë.
“Ju ftoj të jeni të kujdesshëm gjatë ligjëratave, t’i respektoni profesorët dhe të mundoheni t’i tejkaloni pritshmëritë tuaja, por edhe të tyre. Vetëm në këtë mënyrë do të bëheni gjeneratë e cila me sukses do ta fitojë betejën e vet dhe gjeneratë e cila do të jetë bartëse e ndryshimeve për një shoqëri më të mirë.

 Ju uroj punë të suksesshme edhe profesorëve që besoj se do të japin më të mirën për t'ju udhëhequr gjatë studimeve tuaja. Si një Qeveri me përgjegjësi që kujdeset për të rinjtë, ne po e fillojmë këtë vit akademik me bursa të rritura, si dhe me vendosjen e vaktit studentor të subvencionuar ", tha ministrja Milla Carovska.