Propozim-plani për aksionin vendimtar kundër përhapjes së dezinformatave dhe kundër sulmeve ndaj demokracisë

Dezinformatat janë një nga sfidat kryesore të demokracisë në vitin 2019 dhe janë mjet që përdoren për manipulimin e qytetarëve, përzierjen në proceset zgjedhore  dhe zvogëlimin e besimit të qytetarëve në instucionet dhe mediat. Republika e Maqedonisë së Veriut në dy vitet e fundit shumë shpesh është përballur me përhapje masive të dezinformatave, si në rrjetet sociale ashtu edhe në mediat tradicionale. Disa nga dezinformatat janë ndarë nga territoret e shteteve të tjera. Maqedonia e Veriut u cilësua si vendi i lajmeve të rreme, pasi në vitin 2016 u zbulua se në Veles kishte një numër të  madh të faqeve të internetit dhe profileve të rreme  të Facebookut  që përhapnin dezinformata në SHBA gjatë zgjedhjeve presidenciale atje.

Në përputhje me angazhimet për hapje, llogaridhënie dhe transparencë, Qeveria përgatiti Propozim-planin aksionar për ballafaqim me dezinformatat dhe sulmet ndaj demokracisë në nivel sistemik, me qëllim që të forcohet siguria kombëtare dhe siguria e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.


Shkarko Propozim-planin


Propozim-plani aksionar është sublimat i rekomandimeve në luftën kundër dezinformatave, përgatitur si rezultat i ndjekjes së masave të Komisionit Evropian, Komitetit të Ekspertëve për Gazetari Cilësore në Këshillin e Evropës  përmes anëtarësimit në komitet nga përfaqësuesi i Zyrës së Kryetarit të Qeverisë së RMV-së, sektori i Komunikimeve i NATO-s, bashkëpunim për profesionalizimin e komunikimeve dhe PR me Qeverinë e Britanisë, bashkëpunime me USAID-in, Rrjeti Evropian për Diplomaci Digjitale mbështetur nga State Departament i SHBA-së përmes anëtarësimit në bordin udhëheqës të rrjetit nga përfaqësuesi i Zyrës së Kryetarit të Qeverisë së RMV-së dhe të tjerë.

Propozim-plani aksionar do të vihet në diskutim në takimet e punës në institucionet, si dhe në konsultimet me sektorin civil, mediat dhe faktorë tjerë në shoqëri, duke i përfshirë edhe partnerët strategjik të RMV-së.

I. Masat e sigurisë

(1) Rishikimi i protokolleve të sigurisë ekzistuese dhe krijimi i protokolleve të brendshme të sigurisë për komunikimin në institucione dhe komunikimin me subjektet e jashtme, në mënyrë  të zvogëlimit të mundësive për rrjedhjen e informacioneve të ndjeshme.

(2) Futjen e protokollit të sigurisë për komunikimet digjitale për të gjithë nëpunësit shtetërorë, për përdorim të sigurt të internetit, postës elektronike zyrtare, telefonit celular zyrtar, etj. Ky protokoll sigurie do të ofrohet dhe do t'u prezantohet nëpunësve shtetëror përmes realizimit të fushatës së brendshme proaktive. 

(3) Përforcimi i infrastrukturës së brendshme të IT -së në Qeveri dhe ministritë dhe kontrollimi i sistemit për  kontroll të trafikut të rrjetit, me qëllim parandalimin në kohë të trafikut qëllimkeq dhe parandalimin e sulmeve të jashtme në infrastrukturë. 

(4) Ndryshimi i numrit të telefonit dhe pajisjes mobile të Kryetarit të Qeverisë së RMV-së, si dhe zbatimi i protokollit të sigurisë për komunikimet digjitale. 

(5) Vendosja e protokollit për komunikime të krizës ndërmjet servisit qendror të komunikimit të qeverisë dhe ministrive, i cili do të ketë për qëllim kundërshtimin e shpejtë dhe të saktë të dezinformatave, të cilat përhapen përmes mediave sociale dhe portaleve të internetit.

II. Masa proaktive

(6) Qeveria do të vazhdojë të investojë në transparencën aktive, në mënyrë që të afrojë punën e saj te qytetarët dhe të rrisë besimin e qytetarëve në institucionet. Me "Strategjinë e re për Transparencë" do të vendosë standardet në sistem dhe do të krijohet listë e dokumenteve dhe informacioneve që institucionet do të jenë të detyruara t'i publikojnë dhe përditësojnë në intervale të caktuara kohore. Përmes publikimit dhe shpërndarjes së fakteve dhe informacioneve të vërteta, zvogëlohet  hapësira për manovrim të dezinformatave. 

(7) Qeveria do të publikojë në faqen e saj të internetit përgjigje zyrtare për pyetjet e mediave dhe qytetarëve, me qëllim që të parandalohet shtrembërimi i qëndrimeve zyrtare të Qeverisë. 

(8) Qeveria do të formojë Grup Aksionar për Luftën kundër Dezinformatave dhe Sulmeve mbi Demokracinë, në të cilin do të ftohen të marrin pjesë përfaqësues nga Zyra e Kryetarit të RMV-së, Kryetari i Qeverisë së RMV-së, Kuvendi i RMV-së, Kabineti i Ministrit i angazhuar për Komunikim, Transparencë  dhe Llogaridhënie, MPB, MD, MPJ, MSHIA, Drejtoria e Sigurisë dhe Kundërzbulimit, Agjencia e Zbulimit dhe të tjera, detyra e të cilëve do të jetë analizimi dhe ndjekja e dukurive të dezinformatave në publik dhe koordinimi i luftës kundër përhapjes së dezinformatave. Në emër të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, i angazhuar për koordinimin e këtij Grupit Aksionar do të jetë Ministri i Komunikimeve, Transparencës dhe Llogaridhënies Robert Popovski, ndërsa nga Kabineti i Kryeministrit përgjegjës do të jetë Këshilltari i veçantë për marrëdhënie me publikun, Marjan Zabrçanec.

(9) Grupi Aksionar dhe Qeveria do të realizojnë fushatë edukative me interes publik për ekzistencën dhe ndikimin e dëmshëm që dezinformatat kanë në shoqëri.

(10) Qeveria do të realizoj fushatë të brendshme për punonjësit në administratën shtetërore, për ekzistencën dhe ndikimin e dëmshëm të dezinformatave. 

(11) Grupi Aksionar për luftën kundër dezinformatave dhe sulmeve mbi demokracinë do të bashkëpunojë në mënyrë aktive me të gjitha platformat e mediave sociale që më së shpeshti përdoren për shpërndarjen e shpejtë të dezinformatave. Do të informohen për profilet dhe publikimet që përhapin dezinformata dhe do të përfshihemi në mënyrë aktive si shtet në programet e tyre për informimin e qytetarëve dhe luftën kundër dezinformatave. 

(12) Qeveria do të fillojë procesin e krijimit të Strategjisë Kombëtare për Edukimin Mediatik, në suaza të të cilit do të përfshihen aktivitetet e institucioneve, mediave dhe shoqërisë civile, si dhe përfshirja e edukimit mediatik në programet arsimore të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës. Qeveria do të mbështesë dhe do të jetë partner aktiv i sektorit civil në zbatimin e programeve dhe trajnimeve për edukimin mediatik dhe do të zbatojë edhe edukim mbi edukimin mediatik për punonjësit në administratën shtetërore. 

(13) Qeveria do të inkurajojë në mënyrë aktive diskutimin midis mediave, shoqatave të mediave dhe sektorit civil, me qëllim të vetë-rregullimit, bashkë-rregullimit dhe përcaktimit të standardeve të mediave për portalet e internetit, në përputhje me rekomandimet e Komisionit Evropian dhe Këshillit Evropian. 

(14) Qeveria do të fus kritere të qarta për mediat që janë të akredituara për të ndjekur ngjarjet qeveritare dhe konferencat për shtyp, në përputhje me standardet e profesionit të gazetarisë. 

(15) Qeveria do të hapë diskutim me mediat për të përcaktuar model për mbështetje për produksion të përmbajtjeve mediatike mbi temën lufta me dezinformatat, si dhe mbështetje për programe edukative dhe trajnime të dedikuara për punonjësit e mediave me qëllim të ngritjes së vetëdijes së tyre profesionale në luftën kundër dezinformatave. 

(16) Qeveria dhe institucionet do të bashkëpunojnë në mënyrë aktive me të gjitha organizatat dhe projektet që punojnë për kontrolle të fakteve (Fact checkers), duke iu përgjigjur në kohë dhe shpejt pyetjeve të tyre, gjatë kontrollit të fakteve.

(17) Qeveria do të inicojë organizata që mirren me kontrollin e fakteve për të krijuar regjistër të dezinformatave të vërtetuara dhe të demaskuara dhe listë të burimeve që shpërndajnë dezinformata. 

(18) RMV-ja do të inkurajojë bashkëpunimin me Komisionin Evropian dhe do të kërkojë përfshirje në sistemin për  paralajmërim të shpejtë për përhapjen  e dezinformatave (Rapid alert system), në mënyrë që të shkëmbejnë informacione rreth përmbajtjes dhe temave të fushatave për dezinformatat nëpër Evropë.

Në luftën kundër dezinformatave, Qeveria e RMV-së do të vazhdojë bashkëpunimin aktiv me aleancat strategjike BE dhe NATO, dhe do të kundërshtojë me vendosmëri lajmet e rreme dhe dezinformatat, duke mbrojtur qytetarët nga dëmet që i shkaktojnë këto dukuri.