Zaev-Gashi: Do të miratohet vendimi më i mirë për të gjithë qytetarët, vendi duhet të vazhdojë drejt së ardhmes evropiane

Kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i partisë politike Alternativa dhe deputet, Afrim Gashi mbajtën takim në Klubin e Deputetëve.

Në takim u riafirmua vendosmëria e vendit për të ecur drejt një të ardhmeje evropiane, e gjitha kjo me synimin për të përmbushur qëllimin strategjik - fillimin e bisedimeve me BE-në.

Kryeministri Zaev shprehu falënderim deri te kryetari i Alternativës, Gashi dhe sekretari i partisë Sali që pranuan të marrin pjesë në takim ku u bisedua për bashkëpunimin eventual në Qeveri të ardhshme, me të cilën dërgohet mesazh se e sigurojmë të ardhmen evropiane të vendit.

“Republika e Maqedonisë së Veriut po përballet me një moment shumë të rëndësishëm, ato janë pritjet në dhjetor, në fakt premtimi afatgjatë nga BE-ja, që është miratimi i kornizës negociuese të Këshillit për Çështje të Përgjithshme dhe caktimi i konferencës së parë ndërqeveritare, gjegjësisht marrja e datës së shumëpritur për bisedime. Është diçka që duhet të jetë përgjegjësi e të gjithëve në vend”, tha Kryeministri Zaev, duke shtuar se temat e diskutuara ishin programore dhe kujdesen në mënyrë të barabartë për të gjithë qytetarët.

“Më vjen mirë që një bashkëpunim i mundshëm në të ardhmen do të përcaktohet pikërisht mbi parimet programore që vlejnë para së gjithash për qytetarët. E kam fjalën për përcaktimet programore-politike dhe përcaktimet kadrovike në pjesën e ndarjes së përgjegjësisë në një Qeveri ndoshta të re së bashku me Alternativën. Por ka ende procese para nesh për të cilat duhet të bisedojmë”.

Kryetari i Alternativës dhe deputet Afrim Gashi, theksoi se është hapur diskutim për mënyrat në të cilat mund të bashkëpunohet duke pasur parasysh seriozitetin e situatës politike në vend dhe se në atë drejtim do të miratohet vendimi më i mirë për të gjithë qytetarët.

“Biseduam për konceptin se si të dalim nga kjo krizë dhe cili është konteksti politik i vendit sa i përket procesit të integrimit evropian dhe nëse Alternativa mund të ndihmojë në këtë proces. Diskutuam për çështje thelbësore për shtetin. Nëse, ndoshta, hipotetikisht, diskutojmë mundësinë e rritjes së shumicës aktuale, duam të dimë se cili është roli i Alternativës. Asnjëherë nuk do të hyjmë me dhunë në asnjë qeveri nëse nuk është e mundur të realizohen interesat e përgjithshme të shtetit, të të gjithë qytetarëve”, tha Gashi.