Kovaçevski – Bomgartner: Shkupi dhe Parisi po shkruajnë kapitull të ri bashkëpunimi me investim prej 270 milionë euro për parkun solar

Kryeministri i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut Dimitar Kovaçevski sot u takua me ambasadorin e Republikës së Francës në vendin tonë Sirill Bomgartner.

Franca dhe Maqedonia e Veriut po shkruajnë një kapitull të ri të bashkëpunimit që reflektohet në investimin e parë me parkun solar të kompanisë “Akuo Energy” me vlerë mbi 270 milionë euro.

Në takimin ku ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri për çështje Evropiane Bojan Mariçiq, ambasadori Bomgartner e përgëzoi kryeministrin Kovaçevski për zgjedhjen në krye të Qeverisë dhe i dëshiroi sukses në arritjen e prioriteteve programore.

Në takim u theksua se nga viti 2020, pas takimit të Kryetarit të Republikës së Francës, Emanuel Makron me ish-kryeministrin Zaev, Franca dhe Maqedonia e Veriut po shkruajnë një kapitull të ri të bashkëpunimit që reflektohet në investimin e parë me parkun solar të kompanisë “Akuo Energy” me vlerë mbi 270 milionë euro si investimi i parë nga Franca pas 12 vitesh dhe me hyrjen e Agjencisë Franceze për Zhvillim e cila në partneritet me Bankën zhvillimore të Maqedonisë së Veriut planifikon projekte të rëndësishme investuese për të mbështetur sektorin e biznesit, pushtetin lokal, shoqërinë civile dhe fusha të tjera.

Kryeministri Kovaçevski dhe ambasadori Bomgartner shprehën gatishmërinë për bashkëpunim të jashtëzakonshëm në muajt e ardhshëm në drejtim të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut me qëllim të arritjes së progresit të dukshëm gjatë presidencës së Francës me BE-në, i cili do t’i afrojë të dyja vendet drejt arritjes së qëllimit të mbajtjes së konferencës së pare ndërqeveritare si fillimi i negociatave të vendit tonë për anëtarësim në BE

Kryeministri Kovaçevski theksoi marrëdhëniet tradicionale miqësore ndërmjet dy vendeve, të cilat në historinë e re të Maqedonisë së Veriut shoqërohen me kontribute të rëndësishme të figurave të shquara të jetës politike franceze, si Robert Badenter, si kryetar i Komisionit për ish-Jugosllavinë, i cili në vitin 1990 konfirmoi se Republika e Maqedonisë i plotëson të gjitha kriteret për pavarësi, si dhe Alen Le Roa me kontributin e tij në arritjen e Marrëveshjes së Ohrit.