Kovaçevski: Jemi të përkushtuar për zhvillimin e përgjithshëm ekonomik dhe mbrojtjen e standardit të jetesës së qytetarëve

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, sot mbajti fjalim në ngjarjen me rastin e fillimit zyrtar të punës të dy investimeve të reja të Grupacionit NIKOB - ISHP NIKOB Medikal dhe NIKOB Lab.

Kryeministri Kovaçevski i vlerësoi këto investime si të rëndësishme sepse realizohen në kushtet e krizës aktuale ekonomike dhe energjetike dhe nënkuptojnë rritje të numrit të vendeve të punës.

Në vazhdim të kësaj kumtese, ua përcjellim të plotë fjalimin e Kryeministrit Kovaçevski:

“Më lejoni të përgëzoj Grupacionin NIKOB, i cili dy vjet pasi shënoi 25 vjet të ekzistencës së tij si Agjenci për sigurimin e personave dhe pronës, vendosi që suksesin ta ndërtojë me investime në shërbimin shëndetësor privat – Poliklinika NIKOB Medikal dhe Diagnostifikimi biokimik dhe molekular NIKOB Lab.

Këto investime janë bërë në kulmin e krizës globale shëndetësore me KOVID-19, në mënyrë që Grupacioni NIKOB, krahas iniciativës për investime në kohë krize, të tregojë edhe përgjegjësi sociale. Investimet e këtilla si ky investim sot dhe zhvillimi i kompanive vendore janë shtytës të ekonomisë nacionale. Ato janë të mundshme si rezultat i përpjekjeve të Qeverisë që synojnë krijimin e kushteve për zhvillimin e sektorit privat, por edhe ofrimin e kushteve që të rinjtë ta ndërtojnë të ardhmen e tyre këtu, në vend, në kompani që janë të përkushtuara të kontribuojnë në zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe për të investuar në zhvillimin e kapitalit njerëzor.

Këto investime janë gjithashtu domethënëse dhe vlera e tyre është edhe më e madhe duke qenë se ato ndodhin në krizën aktuale ekonomike dhe energjetike dhe nënkuptojnë rritje të numrit të vendeve të punës. Në atë drejtim investimin e kësaj kompanie e shohim edhe nga aspekti i hapjes së vendeve të reja të punës me profesionalizëm të lartë për bashkëqytetarët tanë të cilët tashmë angazhimet e tyre profesionale i realizojnë në një grup që ka mbi 2.600 punonjës.

Ruajtja dhe krijimi i vendeve të reja të punës është prioritet i lartë i kësaj Qeverie. Edhe në kushte pandemie me gjashtë pakot kundër krizës, me vlerë rreth 1.2 miliardë euro, u ruajtën rreth 60,000-80,000 vende pune dhe u mbështetën më shumë se 20,000 kompani.

Në të njëjtën kohë, Qeveria mbështet fuqishëm investimet në kapitalin njerëzor dhe për këtë arsye që nga fillimi kemi realizuar rritje të pagës minimale prej 18.000 denarë, dhe në të njëjtën kohë, sipas statistikave, paga mesatare po rritet. dhe është gati 30.000 denarë.

Në këtë drejtim, dua të theksoj se ne vazhdojmë të punojmë me përkushtim për të krijuar kushte dhe mbështetje për uljen e mëtejshme të papunësisë deri në fund të vitit. Papunësia në tremujorin e katërt të 2021 është në nivelin më të ulët në historinë e pavarur ekonomike dhe është 15.2%.

Sipas planeve zhvillimore, shkalla e punësimit parashikohet të rritet në 54.3% në vitin 2026, ndërsa shkalla e papunësisë të hyjë në zonën njëshifrore deri në vitin 2026 për herë të parë prej 8.6%.

Me punën e përbashkët të përkushtuar të Qeverisë, odave, sindikatave, opinionin ekspert dhe mbështetjen e bashkësisë ndërkombëtare, zbatimi i këtyre planeve do të mundësojë zhvillimin e përgjithshëm ekonomik të vendit, por edhe mbrojtjen e standardit të qytetarëve.

Në këtë moment, ne po përballemi me sfida të mëdha. Na pret një vit i vështirë, por besoj se së bashku do ta kalojmë. Në kushtet e krizës më të madhe botërore në historinë më të re, jemi të fokusuar në zbutjen e pasojave të krizës, por edhe në krijimin e masave për zhvillimin ekonomik dhe realizimin e investimeve kapitale.

Që në fillim kemi marrë të gjitha masat e nevojshme për të zbutur rritjen e madhe të çmimeve. Shpejt dhe në kohë miratuam një pako masash me vlerë prej gjithsej 615 milionë euro për të amortizuar presionet në standardin e jetesës së qytetarëve dhe për të siguruar likuiditetin e kompanive.

Me këto masa kundër krizës, faturat e qytetarëve janë më të ulëta për rreth 4.000 denarë në muaj.

Me mbështetjen financiare përmes Bankës Zhvillimore dhe komerciale përmes përdorimit të kredive pa interes dhe përdorimit të Fondit Garantues, kemi mundësuar likuiditetin e kompanive.

Të gjitha këto politika dhe masa ofrojnë mbështetje si për qytetarët ashtu edhe për kompanitë, me çka ofrohet një klimë e favorshme për zhvillim të mëtejshëm ekonomik. Nga ky aspekt, iniciativa e treguar nga Grupacioni NIKOB vlerësohet veçanërisht sepse është rezultat i pranimit të sfidave që me qasje të duhur, të përkushtuar dhe të përbashkët mund të tejkalohen.

Kriza është gjithmonë një mundësi për zhvillim dhe prandaj ne si Qeveri në vazhdimësi po punojmë në sigurimin e kushteve që do të ofrojnë një klimë të favorshme biznesi, likuiditet të kompanive por në të njëjtën kohë mbrojtje të standardit jetësor të qytetarëve, veçanërisht në kushte krize.