Kovaçevski: Po bashkohemi për të mirën e përbashkët të popujve tanë

Samiti i Ballkanit të Hapur në Ohër, pjesën e punës e përfundoi me konferencë të përbashkët për shtyp të liderëve të iniciativës, Kryetarit të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, Presidentit të Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq dhe Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe në të cilën morën pjesë edhe Kryeministri i Republikës së Malit të Zi, Dritan Abazoviq dhe kryesuesi i Këshillit të Ministrave të Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zoran Tegeltija.

Në vazhdim të kësaj kumtese ua përcjellim deklaratën e Kryeministrit Dimitar Kovaçevski në tërësi:

I nderuar President i Republikës së Serbisë, Aleksandar Vuçiq,

I nderuar Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, Edi Rama,

I nderuar Kryeministër i Republikës së Malit të Zi, Dritan Abazoviq,

I nderuar kryesues i Këshillit të Ministrave të Republikës së Bosnjës dhe Hercegovinës, Zoran Tegeltija,

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Zonja dhe zotërinj,

Ishte kënaqësi të jem nikoqir në këtë ngjarje produktive që besoj se sjell një kthesë të re pozitive për rajonin. Ohri na bashkoi për të mirën e përbashkët të popujve tanë.

Dëshiroj të falënderoj të gjithë liderët që erdhën dhe drejtuan delegacionet e tyre, por edhe të gjithë pjesëmarrësit dhe të ftuarit që kontribuan me idetë e tyre në krijimin e projekteve të reja për lidhjen rajonale në korniza të Ballkanit të Hapur.

Dëshiroj t'ju falënderoj shumë për mbështetjen që marrim këtë herë nga odat ekonomike dhe komuniteti ndërkombëtar.

Ne kemi mesazhe të qarta si nga SHBA-të ashtu edhe nga BE-ja. Mbështetja e tyre është e drejtpërdrejtë dhe e fuqishme. Të tilla janë përpjekjet tona për evropianizimin e rajonit. Ne punojmë drejtpërdrejt dhe fuqishëm për standardet evropiane, për zhvillimin ekonomik, për një jetë më të mirë për qytetarët tanë. Kjo është arsyeja pse Ballkani i Hapur ka rezultate konkrete dhe për këtë arsye vendet e rajonit duhet të bëhen anëtare të BE-së.

Sot këtu në Ohër po hapim kapituj të rinj të bashkëpunimit në fushën e kulturës dhe turizmit.

Më shpejt qytetarët tanë nga Ballkani i Hapur të ndjejnë përfitime të reja ekonomike dhe të tjera. Mund të jetë një pushim i këndshëm në Sarandë, Ohër apo Kopaonik. Me kushte të favorshme, me çmime të përshtatshme. Mund të ketë përfitime dhe lehtësime të reja për qarkullim më të shpejtë të mallrave që kompanitë duhet të importojnë ose eksportojnë. Qarkullim më i shpejtë i qytetarëve tanë.

Sot do të njoftoj se kompanitë nga tre vendet tona që menaxhojnë tarifat janë duke punuar në lidhjen e sistemeve elektronike të për pagesë në pikë-pagesa. Kjo do të thotë se një qytetar nga Serbia me TAG për pagesë elektronike të veturës së tij do të mund të kalojë pa u ndalur në pikë-pagesën maqedonase dhe shqiptare - sistemi do ta njohë dhe rampa e pikë-pagesës do të ngrihet vetë, me pagesë elektronike. Kështu do të reduktojmë grumbullimet në autostrada dhe pikë-pagesa dhe qytetarët do të arrijnë më shpejt në destinacion.

Tashmë jemi duke u përgatitur për Panairin e verës, ushqimit dhe turizmit në Beograd në shtator. Aty do të prezantojmë një sërë produktesh maqedonase - do t'i afrojmë verërat tona varietale dhe ushqimin maqedonas me rajonin dhe botën.

Në fund, ramë dakord që së bashku të përballemi me krizën ekonomike dhe mungesën e ushqimit dhe energjisë.

Të nderuar,

Unë e konsideroj këtë Samit një pikë kthese pozitive, sepse për herë të parë si Mali i Zi ashtu edhe Bosnja e Hercegovina dhe i gjithë komuniteti ndërkombëtar janë të gjithë në një vend, me një kuptim të përbashkët për të ardhmen e Ballkanit Perëndimor.

Nëse e kuptojmë njëri-tjetrin, nuk ka pse të mos kemi sukses.

Ne e kuptojmë njëri-tjetrin, e ndihmojmë njëri-tjetrin dhe do ia dalim.

Le të bëhet Ballkani Perëndimor - Ballkan i Hapur.

Ju faleminderit.