Kovaçevski-Eskobar: Dialogu strategjik me SHBA-në hap perspektiva për projekte dhe iniciativa të reja me interes për qytetarët

Kryetari i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski, ka takuar zëvendësndihmës   Sekretarin e shtetit të SHBA-së për çështje evropiane dhe euroaziatike dhe përfaqësuesin special për Ballkanin Perëndimor Gabriel Eskobar, i cili sivjet po merr pjesë në Forumin e Dialogut të Prespës në Ohër.

Në takimin ku mori pjesë zëvendëskryetari i ngarkuar për çështje evropiane, Bojan Mariçiq, është theksuar se marrëdhëniet ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe SHBA-së shënojnë përmirësim të vazhdueshëm, gjë që u konfirmua me fillimin e procesit të Dialogut strategjik në Uashington me 2  qershor të vitit 2022.

Është për tu theksuar  se gjatë bisedës u potencua se Maqedonia e Veriut është vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që nis dialogun strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës si fazë tjetër e avancuar në bashkëpunimin politik dhe ekonomik duke identifikuar projekte dhe iniciativa të reja me interes të përbashkët.

Në takim Kovaçevski dhe Eskobar diskutuan për situatën aktuale në botë, krizën e shkaktuar nga agresioni ushtarak i Rusisë kundër Ukrainës, e cila edhe një herë vlerësohet si e pajustifikuar dhe e paprovokuar dhe jashtëzakonisht e rëndë për sigurinë ndërkombëtare.

Kryeministri Kovaçevski në bisedë me Eskobarin,  theksoi se Maqedonia e Veriut vazhdon ti aplikojë angazhimet strategjike politike për të mbështetur proceset për pjesëmarrje aktive të Maqedonisë së Veriut në operacionet e NATO-s, si dhe për të përshpejtuar integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE.

Zëvendës-ndihmës  i Sekretarit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike dhe Përfaqësues Special për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Eskobar,  theksoi nevojën për një fillim të menjëhershëm të bisedimeve të pranimit të Maqedonisë së Veriut me BE-në dhe potencoi mbështetjen e SHBA-së për gjetjen e zgjidhjeve të pranueshme reciprokisht për çështjet dypalëshe me Republika e Bullgarisë.

Çdo vonesë e mëtejshme në këtë proces, theksuan të dy bashkëbiseduesit, shkakton pasoja të rënda rajonale dhe inkurajon rreziqet e rritjes së ndikimit të palëve të treta.

Kryeministri Kovaçevski në takim,  vuri në dukje përfitimet e nismës “Ballkani i Hapur”, të cilën, siç theksoi zëvendësndihmës i Sekretarit të shtetit Eskobar, Shtetet e Bashkuara të Amerikës e mbështesin plotësisht dhe e vlerësojnë si veçanërisht të rëndësishme për zhvillimin rajonal dhe përshpejtimin e integrimeve evropiane të vendeve nga Ballkani Perëndimorë.