Shaqiri: Përfshirja e personave me vështirësi është proces që duhet të avancohet dhe përmirësohet

„Në sektorin me të cilin udhëheq, viteve të fundit është bërë përparim i madh në përfshirjen e nxënësve me vështirësi, por edhe pse kemi bërë një sërë aktivitetesh për përfshirjen e fëmijëve me nevoja të veçanta arsimore në shkollë, ka ende shumë punë për të bërë në këtë fushë. Inkluziviteti i personave me vështirësi është proces që duhet avancuar, përmirësuar, me qëllim që të gjithë të kenë të njëjtat mundësi arsimimi”, kështu deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës Jeton Shaqiri, në promovimin e programit për inkluzivitetin e personave me vështirësi dhe analizën e gjendjes së të drejtave të personave me vështirësi organizuar nga UNICEF-i.
 
„Një gjë për të cilën jam veçanërisht krenar është rritja e numrit të nxënësve me vështirësi në shkollat fillore, i cili krahasuar me vitin shkollor 2019/2020 është rritur për 4.5%. “Ky numër nuk është maksimumi që duhet arritur, besoj se me çdo nxënës të ri me vështirësi i cili do të regjistrohet në shkollë thyejmë stereotipet se të njejtit nuk mund të arrijnë asgjë në jetë”, theksoi Shaqiri.

Duke iu referuar arsimimit të personave me nevoja të veçanta arsimore, ministri potencoi se vitin e kaluar shkollor Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka angazhuar 500 asistentë personalë për nxënësit me vështirësi, ndërsa njëkohësisht janë punësuar 49 edukatorë specialë dhe rehabilitues në shkollat fillore dhe shkollat me qendra burimore për mbështetjen e nxënësve me vështirësi dhe kuadrit mësimor.
 
„Për shkollat fillore me qendra burimore u siguruan mjete për blerjen e pajisjeve dhe burimeve didaktike në mbështetje të arsimit inkluziv. Në kuadër të programit “Bëhu IN, bëhu inkluziv, bëhu i inkluduar”, janë ndarë 287 bursa për fëmijët me vështirësi të përfshirë në arsimin e rregullt, për klasën e parë dhe të dytë, për të mbështetur familjet dhe nxënësit me materialet bazë që u nevojiten”, shtoi ministri.